Jump to content

Muhammedi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Versioni i datës 4 nëntor 2011 11:17 nga Eagleal (diskuto | kontribute) (Ndryshoi mbrojtjen e faqes "Muhameti": http://sq.wikipedia.org/w/index.php?title=Wikipedia%3AKuvendi&action=historysubmit&diff=1037192&oldid=1037190 ([edit=autoconfirmed] (i pacaktuar) [move=autoconfirmed] (i pacaktuar)))

Muhammed ibën ‘Abdullah, (arab:محمد‎, mʊħɑmmæd̪, About this soundprononcimi )[1][2][3] , ose emri i plotë Ebu al-Qasim Muhammad Ibën Abd Allah Ibën Abd al-Muttalib Ibën Hashim, gjithashtu njihet edhe si Ahmed dhe Mustafa është i dërguari i fundit nga të gjithë të dërguarit e Zotit (Allahut). Lindi në Mekke20 prill të vitit 571; vdiq më 8 qershor të vitit 632Medinë[4][5].

Ai ishte predikues i besimit në një Zot ashtu siç kishin predikuar më parë Ademi, Ibrahimi, Musa, Nuhi, Isa (Jezusi) si dhe profetët e tjerë të dërguar nga Zoti që njihen përmes Kur'anit si dhe ata që nuk njihen.[6][7][8]

Meqë ishte i Dërguari i fundit gjatë jetës së tij pas shpalljes nuk ishte i angazhuar vetëm në përhapjen e besimit në një Zot, por gjithashtu ishte i përfshirë në ndryshimin e të gjitha sferave të jetës së njeriut për të gjitha kohëra si në etikë, lidhjet familjare, lidhjet shoqërore ashtu edhe në politikë, filozofi, oratori, ekonomi, udhëheqje shtetërore, udhëheqje ushtarake etj. Në të gjitha angazhimet ishte i suksesshëm.[9]

Emrat

Skeda:Muhammad.gif
Muhammed, në shkrimin arab.

Emri i plotë i Muhammedit (paqja qoftë mbi të) është Abu al-Qasim Muhammad Ibn Abd Allah Ibn Abd al-Muttalib Ibn Hashim, kurse emri i shkurt paraqitet në forma të ndryshme varësisht nga kulturat e grupeve të ndryshme shoqërore edhe atë mund të e hasim si : Muhammed (arabisht: محمد,) pastaj Muhamed, Muhammad, Mohammad, Mohamet, Mahomet.

Në kohën kur lindi Muhammedi gjyshi i tij Abul Mutalibi vendosi që ta emërojë nipin me një emër i cili nuk përdorej gjer në atë kohë ndër arabët, pra me emrin i cili do të thotë "I Lavdëruar".

Emri Muhammed në Kur'an paraqitet katër herë[10][11][12][13]. Gjithashtu në Kur'an thirret edhe me emra tjerë, varësisht nga situata. Në Suretu El Muzzemmil në ajetin e parë thirret "I Mbështjellë", në Suretu El Muddeththir në ajtetin e parë thirret "I Mbuluar". Në Kur'an gjithashtu njihet edhe me emrin Ahmed që do të thotë "Më i Lavrdëruar"[14]

Biografia

Jeta para shpalljes

Abu al-Qasim Muhammad Ibn Abd Allah Ibn Abd al-Muttalib Ibn Hashim, Ahmedi ose më shumë i përdorur Muhammedi (paqja qoftë mbi të) lindi në Mekke, ditën e Hënë, 12 Rebiul-evvel ose sipas kalendarit gregorian më 20 prill të vitit 571 nga babai Abdullahu dhe nëna Emineja. Rrjedh nga fisi Kurejsh.

Babai i vdiq para lindjes, kështu që nga kjo kohë mbeti nën mbikëqyrje të nënës dhe gjyshit të tij. Sipas zakonit të kurejshëve, dërgimin e fëmijëve për një kohë tek familjet në shkretëtirë tek fisi Saad, edhe Muhammedi u dërgua tek një familje për gji dhënie, ku nëna gji dhënëse quhej Halime. Në moshën trevjeçare u kthye të jetojë me të ëmën në Mekë[15]. Në moshën gjashtë vjeçare, rrugës, gjatë kthimit nga vizita e dajallarëve të babait në Medinë e ëma i sëmuret rënd dhe vdes. Ajo varroset nga shërbëtorja e tyre shoqëruese e udhëtimit, në prezencën e tij. Kështu pas kësaj kohe ai kalon në shtëpinë e gjyshit të tij, Abdulmutalibit, nën mbikëqyrje të tij. Dy vite pasi ndërroi vendbanimin gjyshi i tij vdiq kështu që përsëri u detyrua të largohej nga vendi ku jetonte. Këtë radhë ai u vendos tek xhaxhai i tij Ebu Talibi i cili kishte dhjetë fëmijë dhe ishte në gjendje varfërie. Pra, që nga lindja e tij e gjer në moshën tetë vjeçare ai ndërroi pesë herë shtëpi të cilat nuk kishin asgjë të përbashkët. Kështu kushtet në të cilat jetonte si jetim dhe gjendja e rëndë e xhaxhait për tu marrë me të i pamundësuan që të mësonte shkrim dhe lexim dhe si i tillë mbeti gjatë gjithë jetës së tij.

Duke parë gjendjen e vështirë në rrethin e ri familjarë ai kërkoi që të angazhohej në ndonjë mënyrë për të ndihmuar familjen. Kështu u caktua bari delesh punë të cilën e bëri nga mosha tetë gjerë në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare, pra për rreth 7 vitesh.

Nga mosha pesëmbëdhjetëvjeçare deri në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare në Mekë u zhvillua një luftë e cila u quajt "Lufta e të pandershmeve", (ar. Harbul Huxha), në të cilën ai mori pjesë duke u ndihmuar luftëtarëve me ujë dhe duke mbledhur shigjetat për shigjetarët.

Pas moshës pesëmbëdhjetëvjeçare ai fillohet të angazhohej me xhaxhin e tij në tregti, kështu kaloi nga ruajtja e deleve në zhvillim të tregtisë, punë me të cilën u mor nga mosha pesëmbëdhjetë gjer në moshën tridhjetepesëvjeçare d.m.th rreth njëzet vite. Angazhimi i sinqertë si dhe sukseset e tija e bënë të njohur si në tregti ashtu edhe në jetën e përditshme kështu që ndër kurejshët njihej si "I Sinqerti".

Pas këtij suksesi ai u angazhua të punonte si tregtar për Hatixhen, grua e pasur në Mekë. Ky angazhim e bëri që ajo të e njihte për së afërmi për sjelljet dhe sinqeritetin e tij. Në moshën 25 vjeçare u martua me të e cila në atë kohë kishte 42 vite dhe kishte qenë dy herë e martuar. Pas martesës së tij ai tani kishte kushte dhe si shpërblim ndaj xhaxhait i cili e kishte rritur mori një fëmijë për të rritur, ai ishte Ali Ibn Ebi Talib më vonë një ndër besimtarë e parë, mbrojtës i Muhammedit dhe Kalifi i myslimanëve.

Në moshën 40 vjeçare, në vitin 610, filloi të tërhiqej në vetmi dhe meditim, kështu ai filloi të largohej nga Meka dhe të vendosej në shpellën Hira[16] ku qëndronte me ditë të tëra në meditim rreth krijesave dhe krijuesit të tyre. Gjatë qëndrimit në shpellë e cila ishte në majë mali ai vizitohej nga gruaja e tij, Hatixhja, e cila qëndronte me të dy-tre ditë dhe e furnizonte me ushqime. Ndryshimet në sjelljet e tija dhe paraqitja e ëndrrave dhe realizimi i tyre në gjashtë muajt e fundit ishin elemente të dukshme të cilët paraqisnin shenja të profecisë të paraqitura edhe tek librat e zbritura më parë (tek Tevrati e Inxhili).

Gjatë kësaj kohe shoqëria e Mekës po përjetonte një periudhë shthurjeje e cila sa shkonte e thellohej. Kjo gjendje kishte arritur gjer në atë shkallë sa që ata vrisnin foshnjat nga frika e varfërisë, vrisnin vajzat nga frika e turpit dhe besonin në idhuj për interesa pasurie duke e ditur se ato nuk sillnin as dëm as dobi.[17] Kjo gjendje ishte shkaku kryesor përse "I Sinqerti" filloi tërheqjen në vetmi.

Shpallja e Profecisë

Muhamedi (s.a.v.) besonte se ka vetëm një Allah, Krijues i diellit. i hënës, i tokës, i qiellit dhe i të gjithë gjallesave, dhe se të gjithë njerëzit duhet të adhurojnë vetëm Atë. Muhamedi (s.a.v.) shpesh e lëshonte qytetin e mbushur plot e përplot me njerëz dhe shkonte në shpellën e malit Hira. Atij i pëlqente të rrinte atje i vetëm dhe të ushqehej nga pak, larg nga të gjitha mendimet e botës dhe të jetës së përditshme[18].

Në moshën dyzetvjeçare Muhamedi (s.a.v.) e lëshoi Mekën me qëllim që Ramazanin, muajin e agjërimit ta kalojë në shpellë. Në gjysmën e dytë të Ramazanit, Allahu filloi që nëpërmjet Muhamedit (s.a.v.) t'ia zbulojë njerëzimit porosinë e Tij.

Shpallja e parë ndodhi si vijon: Meleku Xhibril erdhi në shpellë te Muhamedi (s.a.v.) dhe atij i urdhëroi: “Lexo !”. Muhamedi (s.a.v.) u përgjigj: “Unë nuk di të lexoj”.

Në këtë çast meleku e mori Muhamedin (s.a.v.) në duart e veta dhe e shtrëngoi shumë. Pastaj e lëshoi atë dhe përsëri i tha: “Lexo !”.

“Nuk mundem” u përgjigj Muhamedi (s.a.v.) e pas kësaj përsëri meleku e përqafoi. Për të tretën herë meleku e urdhëroi Muhamedin (s.a.v.) që të lexojë, mirëpo ai akoma thoshte se nuk mundej dhe përsëri u përqafua. Sidoqoftë, duke e lëshuar këtë herë meleku Xhibril i tha: Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit Mëshirëplotit! “Lexo, me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës) Lexo! Se Zoti yt është më bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me penë. I mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” (El-Alak: l-5)

Muhamedi (s.a.v.) i përsëriti këto ajete ashtu siç i kishte thënë meleku. Kur meleku u sigurua se Muhamedi (s.a.v.) i mësoi këto përmendësh, atëherë u largua. Tani kur mbeti vetëm, Muhamedi (s.a.v.) nuk mund të kuptonte se çfarë kishte ndodhur me të. Ai ishte i friksuar dhe menjëherë nxitoi jashtë shpellës. Ndoshta shpella ishte e magjepsur ? Ndoshta shejtani kishte zënë vend në mendjen e tij ?

Mirëpo, atë e ndaloi një zë i cili erdhi nga qielli dhe i tha: “0 Muhamed (s.a.v.) ti je i Dërguari i Allahut dhe unë jam Xhibrili.” Ai e ngriti kokën lart, nga qielli, dhe ngado që kthehej shihte melekun Xhibril.

Jeta pas shpalljes


Jeta në Mekë

Skeda:MuhammadSeal.jpg
Kjo ishte vula e të dërguarit të Allahut (Unazë)

Pas gjashtë muajve të realizimit të ëndrrave që shihte, një mbrëmje gjersa meditonte në shpellën Hira iu paraqit një krijesë që ishte ulur në front dhe mbulonte horizontin[19][20], engjëlli Xhibril, dhe i përcolli shpalljen e parë. Shpallja e parë në të vërtetë ishte një urdhër, "Lexo!"[21] , ndaj një njeriu që nuk dinte as shkrim as lexim.

Shpallja e plotë e transmetuar herën e parë ishte:

"Lexo! Me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë). Ka krijuar njeriun nga Alak (copë gjaku e mpiksur në mitrën e nënës). Lexo! Dhe Zoti yt është më i Begati Dhurues." [22]

Pas fillimi të shpalljes hyjnore Muhammedi filloi të përhapë besimin në një Zot dhe profecinë e tij fillimisht përmes mbledhjes rreth tij njerëzit më të sinqertë dhe më të suksesshëm.

Gjatë dy viteve të para ai u përqendrua në këtë mënyrë të thirrjes në Islam duke mbledhur rreth vetes besimtarë nga të gjitha fiset e Gadishullit Arabik. Kjo gjendje vazhdoi kështu deri në kohën kur Islamin pranoi Omeri Ibn El-Hattabi, njeri me ndikim dhe i njohur për rreptësinë e tij, i cili kërkoi nga Muhammedi që të bëhet thirrja haptazi, në mënyrë publike. Pas daljes në thirrjen publike atëherë filloi konflikti mes kurejshëve në njërën anë dhe Muhammedit dhe myslimanëve në anën tjetër.

Me fillimin e përhapjes së mesazhit në mënyrë të hapur filluan konfliktet mes myslimanëve dhe idhujtarëve të Mekës. Kjo jo vetëm që vështirësoi përhapjen e Islamit në Mekë, por edhe ndër fiset tjera arabe, pasi që ato kishin varësi ekonomiko-fetare nga kurejshët.

Trysnia e madhe dhe problemet që dita ditës shtoheshin ndikuan që Muhammedi të përpiqej që përmes largimit nga Meka të gjente zgjidhje për problemin me të cilin përballeshin. Për të arritur këtë ai shfrytëzoi ditët e haxh-xhit dhe takimin me përfaqësuesit e fiseve të ndryshme nga të cilët kërkonte përkrahje dhe mbrojtje. Pas përpjekjeve dhe vuajtjeve të mëdha arriti të realizojë Marrëveshjen e Akabes me fisin Eus dhe Hazrexh nga Jethribi (që më vonë u quajt nga vet Muhammedi, Medinë).

Pas Besëlidhjes së Dytë të Akabes, që u arrit pas tri vite përpjekje nga Muhammedit, të gjithë myslimanët nisën të shpërnguleshin në Medine. Disa nga shokët e Profetit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishin shpërngulur atje përpara Besëlidhjes. I pari, që u shpërngul në Medinë, ishte Ebu Seleme Mahzumiu, bashkëshorti i Umu Selemes, që më vonë pas vdekjes së burrit u bë gruaja e Muhammedit (paqja qoftë mbi të). Pas Besëlidhjes së Akabesë, myslimanët filluan të imigronin fshehurazi për në Medine, nga frika të mos vriteshin nga kurejshët. Të fundit që kishin mbetur për shpërngulje ishin Muhammedi me familje, Ali Ibn Ebi Talib, Suhejb ibn Harithe, Ebu Bekr Siddik me familje si dhe disa myslimanë tjerë që për shkaqe të ndryshme nuk emigronin për në Medina. Muhammedi (Paqa qoft mbi të!.) priste leje nga All-llahu për të emigruar[23]

Largimi nga Meka

As largimi për në vend tjetër nuk ishte i lehtë për Muhammedin sepse kurejshët e ndjenin rrezikun e krijimit të një problemi të jashtëm për ata, meqë kishin frikë për interesat e tyre ekonomike të cilat i ruanin përmes autoritetit të tyre fetarë, meqë ishin zotërues të Qabes.

Largimi i myslimanëve tjerë bëri të qartë se edhe Muhammedi do të largohej nga Meka, kështu kurejshët, sipas mendimit të Ebu Xhehlit, vendosën që ta vrisnin. Për këtë ai u informua nga All-llahu përmes Xhibrilit (paqja qoftë mbi të) dhe e lejoi që të shpërngulej. I caktoi edhe kohën kur do të nisej dhe i tregoi planin e kundërpërgjigjes ndaj kurthit të kurejshëve[24] I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli nga shtëpia në mes të ditës, kur njerëzit po pushonin nëpër shtëpitë e tyre dhe shkoi tek Ebu Bekr Es Sidiku. Aty caktoi planin për imigrim. Përgatiti mirë dy devetë dhe pagoi Abdullah ibn Erhajd el Lejthin që ta kishin udhërrëfyes, meqë njihte rrugët mirë.

Pas përgatitjeve për udhëtim Muhammedi caktoi që Ali Ibn Ebi Talibi të qëndronte në shtëpinë e tij, të shtrihej dhe të flinte në shtratin e tij, kështu kurejshët do të mendonin se ai ishte akoma në shtëpi dhe do të kishin kohë të largoheshin nga Meka.

Gjatë largimit nga shtëpia e tij në dalje të së cilës e prisnin vrasësit ndodh njëra nga mrekullitë e të Dërguarit, ku ai merr dhe dhe u hedh fytyrave duke lexuar ajetin Kur'anor “Ne kemi vënë përpara tyre e prapa tyre mbulesë dhe ua kemi zënë sytë, prandaj ata nuk shohin.”[25] dhe largohet pa e vërejtur.

Duke qenë të ndikuar nga gjendja në të cilën ndodheshin Muhammedi dhe Ebu Bekri nuk u larguan në drejtim të Medinës, por ata fillimisht u larguan në drejtim të Jemenit, 3 kilometra nga Meka dhe u vendosën në shpellën e malit Theurit ku qëndruan për tri netë për t'i ikur rreziqeve eventuale. Pas qëndrimit tre netësh ata u larguan për në Medinë.

Jeta në Medinë

Haxhxhi i lamtumirës


Haxhxhi i lamtumirës në të vërtetë është dhe haxhxhi i vetëm që ka kryer Muhammedi, në këtë rast ai mban fjalimin e fundit që myslimanët e njohin si : "Hutbeja lamtumirëse" mbajtur në Arafat. Në këtë hutbe ai iu drejtohet myslimanëve me këshillat e fundit duke e ditur se më nuk do të jet pjesmarrës në haxhxh. Në fund të fjalimit të tij kërkon nga Zoti të dëshmojë për misionin e tij të kryer.

Hadithet

Referencat

  1. ^ About this soundShtyp këtu  për të dëgjuar prononcimin në gjuhën arabe.
  2. ^ Modifikime tjera gjuhësore të emrit kemi si në frëngjisht: "Mahon, Mahomés, Mahun, Mahum, Mahumet"; gjermanisht: "Machmet"; ashtu edhe në islandishte: "Maúmet" cf Muhammad etj. - Encyclopedia of Islam
  3. ^ Burimet bëjnë të ditur se në rini është quajtur "Al-Amin" që do të thotë "I Sinqerti, I Beruari" - cf. Ernst (2004), f. 85.
  4. ^ Elizabeth Goldman (1995), f. 63
  5. ^ qiksh.no Jeta e Muhammedit a.s. 1
  6. ^ Esposito (1998), f. 12.
  7. ^ Esposito (2002b), f. 4–5.
  8. ^ F. E. Peters (2003), f. 9.
  9. ^ Alphonse de Lamartine (1854), Historie de la Turquie, Paris, f. 280:

    "Philosophe, orateur, apôtre, législateur, guerrier, conquérant d'idées, restaurateur de dogmes, d'un culte sans images, fondateur de vingt empires terrestres et d'un empire spirituel, voilà Mahomet!"

  10. ^ Suretu Ali Imran Ajeti144 : Muhammedi nuk është tjetër vetëm se i dërguar. Edhe përpara tij pati të dërguar (që vdiqën ose u vranë). E nëse ai vdes ose mbytet, a do të ktheheshit ju prapa (nga feja ose lufta)? E kushdo që kthehet prapa, ai nuk i bën dëm All-llahut aspak, kurse All-llahu do t'i shpërblejë mirënjohësit.
  11. ^ Suretu El Ahzabë Ajeti:40 : Muhammedi nuk ka qenë babai i asnjërit prej burrave tuaj por ai ishte i dërguari i All-llahut dhe vulë e të gjithë pejgamberëve, e All-llahu është i dijshëm për çdo send.
  12. ^ Suretu Muhammed Ajeti:2:Ndërsa atyre që besuan, bënë vepra të mira dhe atë që iu shpall Muhammedit e besuan, e ajo është e vërtetë prej Zotit të tyre, Ai atyre ua shlyen mëkatet dhe ua përmirëson gjendjen.
  13. ^ Suretu El Fet`h Ajeti:29 :Muhammedi është i dërguar i All-llahut,...
  14. ^ Suretu Es Saff, Ajeti 6.
  15. ^ - ZeriYt.Com - Nga jeta e të dërguarit
  16. ^ Këtë situatë e përshkruan qartë transmetimi nga Jahja b. Bukejri, këtij Lejthi, ky nga Ukajli, ky nga Ibni Shihabi, ky nga Urve bin Zubejri, ky nga Aishah r.a., e cila ka thënë: “Kur Pejgamberi s.a.v.s. për herë të parë ka filluar ta marrë Shpalljen, ishin ato ëndrra të mira që i përjetonte në gjumë. Nuk ka pasur ndonjë ëndërr që nuk do t’i dilte qartë si agimi i mëngjesit. Pastaj ai u dashurua në vetmi. Vetmohej në shpellën Hira dhe aty ruhej (nga gabimet) dhe lutej me net të tëra, para se të zbriste te familja e tij që të furnizohej me ushqim për këtë qëllim. Pastaj kthehej te Hatixheja dhe furnizohej si më parë. (Kështu veproi) derisa i erdhi E VËRTETA kur ai ndodhej në shpellën Hira.
  17. ^ Zbritja e shpalljes Hyjnore
  18. ^ http://www.kuranifisnik.net/Download/
  19. ^ I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të ka thënë: "Unë pashë Xhibrilin në natyrën që ishte krijuar në origjinë. Ai kishte 600 krahë. Secili krah mbulonte horizontin. (Nga lindje deri në perëndim aq larg sa syri mund të shoh).
  20. ^ "Dhe se ai e pat parë atë (Xhibrilin) në horizontin e qartë. Suretu Et Tekvir, Ajeti 23
  21. ^
    I erdhi meleku dhe i tha: ‘Ikre’, d.m.th. ‘Lexo, mëso!’
    ’Nuk di të lexoj’ – iu përgjigj (Pejgamberi s.a.v.s.).
    ’Më mori’, - tha ai (Muhammedi a.s.) – ‘dhe më shtrëngoi aq sa më kaploi mundimi, e pastaj më lëshoi dhe më tha: ’Ikre’, d.m.th. ’Lexo, mëso !’
    ’Nuk di të lexoj,’ – ’i thashë, e ai (Xhibrili) më mori edhe për herë të dytë më shtrëngoi derisa më kapi mundimi, pastaj më lëshoi dhe më tha:
    "Lexo! Me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë). Ka krijuar njeriun nga Alak (copë gjaku e mpiksur në mitrën e nënës). Lexo! Dhe Zoti yt është më i Begati Dhurues." (Al ‘Alak: 1-3).
  22. ^ Suretu: Al ‘Alak: 1-3
  23. ^ Ndërkohë, Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) u përgatit për të imigruar, por i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha: “Mos u nxito! Unë lutem që Allahu të më japë leje për imigrim.” Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i tha: “Vërtet lutesh për këtë?” “Po.”,- iu përgjigj i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Atëherë, Ebu Bekri u përmbajt, me qëllim që ta shoqëronte të Dërguarin e Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).
  24. ^ “Sonte mos fli në shtratin ku ke fjetur më parë”,- i tha Xhebraili.
  25. ^ Kur'an: Suretu Jasinë, ajeti 9.

Shih dhe këtë


Lidhje të jashtme