Ali Ibër Nezaj
Ali Ibër Nezaj (1835-1900) është një ndër figurat kryesore udhëheqëse: ushtarake, politike, diplomatike, humanitare, të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (LSHP) dhe i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.[1]
Ai ishte Antar i Komitetit Kombëtar (Qëndror) të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i Qeverisë së parë të katër vilajeteve të Kombit Shqiptar prej nga koha lavdiplote e Gjergj Kastriotit- Skënderbeu, me 13 antarë gjithsej, të zgjedhur, të pajisur me pushtet ekzekutiv, me kryetar Ymer Haxhi Prizreni (Ymer Drini); ishte “Qeveri e Përkohshme” Shqiptare; përndryshe: “Guvernë e Përdorme”- e cilësonte asokohe, më 1881, Sami Frashëri, ideologu i madh i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.[2]
Ai ishte i zgjedhur edhe Antar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptar të Prizrenit (me 56 antarë), organi më i lartë i LSHP, me fuqi legjislative, me kryetar Iljaz Pashë Dibra (Iljaz Pashë Çoku), një nga organizatorët e LSHP dhe një nga drejtuesit më të lartë të saj.[3]
Ai ishte edhe Nënkryetar i Komisionit të Punëve Financiare (përndryshe: Ministria e Financave e LSHP) me kryetar Sylejman Vokshin, një nga personalitetet më të shquara të organizimit, drejtimit e veprimtarisë ushtarake të LSHP.[4]
Ai ishte ZëvendësKomandant i Forcave të Armatosura në Qeverinë e Përkohshme të LSHP (1881). [5]
Ai ishte një ndër drejtuesit kryesor ushtarak e politik në betejat luftarake më të mëdha të LSHP: “Aksioni i Gjakovës” (3-6 shtator 1878); Epopeja e Nokshiqit - në dy betejat historike: Dhjetor 1879 dhe Janar 1880; Betejat në Shtime-Slivovë (18-21 prill 1881) etj.[6]
Ali Ibër Nezaj, pas afro një gjysëm shekulli (prej nga v. 1855) me pjesmarrje e në udhëheqësi në gjithato takime e kuvende, në aksione e beteja luftarake të shumta në përballje me malazezët, serbët, otomanët; pas dy plagëve të luftërave në trupin e tij; pasi përballoi me sakrifica vështirësitë e jetës kaçake në arrati përndjekjeje nga pushtuesit e huaj, ndrroi jetë në vitin 1900, në moshën 65 vjeçare, në kullën e tij të dytë, në Osek të Gjakovës, Rrafshi i Dukagjinit (Republika e Kosovës). [7]
Jetëshkrimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ali Ibër Nezaj u lind në vitin 1835[8] Baba i tij, Ibër Ali Kurti (Nez-aj), i Vllaznisë së njohur Nezaj në Buçaj (i lindur rreth vitit 1800) ishte një institucion, përfaqësues, prijës: Së parit: në hershmëri kohore ishte një nga shtëpitë “Oxhak” (“i Nezajve”, honorofik) të krahinës etno-historike-administrative të Shipshanit (sëbashku me shtëpitë-“Oxhak” të Bajram Sylejman Lushaj-Gegaj, Bajram Sefa-Papaj, Bajram Uka-Qeliaj, Deli Bajrit-Mellaj, Dellazët-Kuçanë);[9] andaj ndër brezni paraardhëse genetike Ibra ishte “djalë oxhaku”. Së dyti: Ibra ishte “Pari(a)” (ndër krerët) e fisit të Shipshanit, në juridiksionin etno-administrativ të Bajrakut të Shipshanit (me të parin bajraktar shipshjan, Din Bajram Bajraktari (1830), me qendër/seli në Kasaj (Papaj), ndërsa “Dera e Parë” e krahinës së Shipshanit ishte ma e moçme, ishte në Lushaj, Gegaj). Së treti: Ibra e kishte dëshmuar me veprimtarinë e tij atdhetare, luftarake, organizuese e drejtuese, pleqnare, nga Rrafshi i Dukagjinit (Kosovë), Sanxhaku Perëndimor (Plavë-Guci etj.) dhe deri në Moraçë (Mali i Zi i sotëm).
Ibër Ali Nezaj ishte ndër luftëtarët dhe prijëtarët e njohur në disa kryengritje, aksione, beteja, luftëra: 1)-Në Kryengritjen e armatosur të Malësisë së Gjakovës e Rekës të vitit 1845 kundër rregjimit otoman, ku rreth 8.000 luftëtarë malësorë të vetëarmatosur, i thyen forcat turke në Qafë të Morinës e në atë të Prushit dhe hynë ushtarakisht e triumfalisht në qytetin e Gjakovës e në të tjera qytete të Dardanisë, duke e detyruar garnizionin turkoman të Reshit Pashës me mbi 30 mijë ushtarë të largoheshin edhe deri përtej Sanxhakut të Kosovës; i hapën burgjet dhe i liruan të burgosurit politik, Porta e Lartë u detyrua të hjekin dorë nga zbatimi i Reformës të Tanzimatit në këto Malësi të Veriut Dardan. Forcat ushtarake të krahinës së Shipshanit udhëhiqeshin nga bajraktari Din Bajram Bajraktari, ndërsa në formacionet luftarake të bajrakut ishin prijtarë edhe Sylejman Abaz Lushaj dhe Ibër Ali Nezaj. Ndërsa ato të Bajrakut të Gashit udhëhiqeshin nga Haxhi Brahim Bajraktari; të Krasniqes nga Binak Alia e Sokol Rama (të Mulosmanaj); të Bytyçit nga Mal Dul Bajraktari e të tjerë. 2). Në beteja luftarake nga Plavë-Gucia deri në Moraçë përgjatë viteve 1852-1855 të “Luftës 7-vjeçare” kundërshqiptare (1852-1858) të Princit Danilo I Petroviç-Njegosh i Malit të Zi, ku Ibra u shqua si një luftëtar trim e prijtar i rrallë. 3).-Ibra, në verë 1855, në përballje të armatosur luftarake (duel, konflikt, aksion/betejë) me shkijet Velikase të Plavës, ku mbetet i vrarë.[10]
Nana e Ali Ibër Nezajt, e fisme e fisnike, Gjylë Bërbati, në etno-gjenezë ishte nga fisi i parë në Sanxhakun e Shkodrës, nga Hoti (“Hoti i Vendit”, “Hoti i Moçëm”, i para v. 1330, “Hoti i Kujit”) në Plavë-Guci, ishin një degëzim genetik hotjan të ardhur prej kohësh në fshatin Berbat në një lartësi rrafshnaltore të Malit të Shenjtë të Shkëlzenit, territor etno-historik e gjeo-administrativ krahinor i Bajrakut të Gashit të Gurit.
Kulla e Ali Ibër Nezajt, e djegur tre herë: nga otomanët (turqit), nga sllavët serbo-malazezë (1913), nga komunizmi në ardhje (1944) u rindërtua nga trashëgimtarët e saj, ndër breza, në të tria herët e kalljes shkatërrimtare të saj.
Kulla të tilla me emër në krahinën e Shipshanit ishin edhe Kulla e Haxhi Brahim Padeshit në Gegaj (i thirrur edhe “Pasha”), i cili e kishte edhe një tjetër kullë në Osek të Gjakovës (ku jetoi vitet e fundit të jetës Ali Ibër Nezaj); Kulla e Ahmet Sadrisë në Ballban (“Monument Kulture”, Papaj), trimi legjendar i “Aksionit të Gjakovës” (1878) e i “Betejave historike të Nokshiqit” (1879-1880) etj. dhe më i ngushti shok i zemrës e i armëve i Ali Ibër Nezajt në të gjithë krahinën e Shipshanit; Kulla e Halit Qerimit (i Zyber-Vesel-Ali Kurt-Vesel-Neza) në Buçaj (kusheri i afërt i Ali Ibër Nezajt, Ali-Ibër-Ali-Kurt-Vesel-Neza) e shumë të tjera.
Në popull, prej kaherit, gjithandej, Kulla e Ali Ibër Nezajt, u cilësue hyjnisht, me një nga figurat kryesore të besimit mitologjik të shqiptarëve, si “Kullë me orë”. Kulla e Ali Ibër Nezajt ishte e para kullë e planit dhe e istikamit të Betejës së parë luftarake ushtarake masive të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e njoftune në historinë shqiptare si “Aksioni i Gjakovës” (3-6 shtator 1878).
Gjithashtu, kjo kullë malësore e Ali Ibër Nezajt ishte dhe selia e fundit e LSHP (1881), ku, pas Betejës Shtime-Slivovë, u strehua përkohor, për shumë ditë, Ymer Efendi Prizreni- kryetari i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të Cilin njerëzit besnikë të Alisë e përcollën në rrugëtimin e pakthim Bytyç-Pukë-Shkodër-Ulqin, ku mafia turko-sllave e helmoi e masakroi tragjikisht në qytetin bregdetar, ku edhe sot gjendet varri i tij i braktisur. Edhe Sylejman Vokshi, Komandanti i Ushtrisë së LSHP, kësaj here (1881) qëndroi rreth 5 muaj. Aty, në këtë “epilog” të LSHP, në këtë kullë e në të tjera vatra atdhetare e bujare të Shipshanit, kishte të strehuar me mikpritje të lartë dhe disa figura të tjera të rëndësishme të LSHP, e, sëbashku me ta, të afërt me ta, besnikë të tyre, edhe disa luftëtarë të Gardës e të Ushtrisë së Lidhjes.
Në këtë kullë alpine historike, tradicionale, bujare, kanë qëndruar përgjatë kohës së organizimit e drejtimit të LSHP: Haxhi Zekë Byberi i Lidhjes Shqiptare të Pejës; Jakup Ferri i krahinës historike të Plavë-Gucisë; Ali Pashë Gucia (Ali Hasan Rexhepagaj), kajmekan i Gucisë, një nga liderët dhe komandantët e LSHP; Pashko Vasa (Vaso Pashë Shkodrani)- ish zyrtar i lartë i Vilajetit të Kosovës (1877), diplomat, shkrimtar, poet, ndër kontributorët e organizimit e lartësimit të LSHP; Ahmet Koronica-Kadiu i Gjakovës e një ndër figurat e shquara të LSHP; Shuaip Spahiu- Nënkryetar i Qeverisë së Përkohshme të LSHP (zgjedhur në maj 1880) dhe Kryetar i Degës së LSHP për Prizrenin; Shaban Efendi Prizreni (doktor i shkencave teologjike, Shaban bej Pllava, haxhi nga Opoja); Zija Prishtina (Zija bej Gjinolli)-Antar i Komitetit Kombëtar të LSHP; Mulla Jaha Musaj, sekretari personal i Ali Pashë Gucisë, kadi (jurist) në Plavë, i shkolluar në Stamboll; Kadri Bajri -Bajraktari i Rugovës; e shumë e shumë të tjerë.
Albanologë e studiuesë dokumentojnë për rolin, rëndësinë dhe madhështinë e kësaj kulle historike lavdiplote: “Shtëpia (kulla) e Ali Ibres (Nezaj), qoftë në Osek afër Gjakovës, qoftë në Buçaj të Shipshanit të Tropojës, do të bëhet qëndra e Kuvendeve të Burrave që mblidheshin nga tërë Kosova dhe nga Malësitë e Veriut. Sidomos Shtëpia (Kulla) në Buçaj të Shipshanit, do të jetë streha e burrave më të dëgjuar të Kosovës e të trojeve të tjera shqiptare, ku do të diskutohen e do të rrihen mendime për fatin e tokave shqiptare, për fatin e popullit tonë, për Besëlidhjen që duhej organizuar sa më parë”. [11]) “Të rralla janë kullat në të cilat të kenë bujtur aq personalitete të historisë kombëtare si në kullën e Ali Ibrës, pra dhe të Brahë Alisë” (djalit të tij),- thekson një nga studiuesit e tij, poeti i shquar, Hamit Aliaj- Mjeshtër i Madh.[12]
Fama e madhe e patriotit të shquar Ali Ibër Nezaj mbrrini deri në Stamboll, aq sa Sulltan AbdulHamid II e nisi një zyrtar “I Dërguar i Portës së Lartë” me një suitë perandorake për tek kulla e tij në Buçaj të Shipshanit të Malësisë së Gjakovës për t’ia parë fuqinë, “sarajet dhe ushtrinë e tij”. Ai u mahnit tejmase kur pa me sytë e tij fshatin e vogël, kullën me pak dhoma, kur Alia i tha se sa pak tokë e bagëti ishte pasuria e tij në vrri e në bjeshkë, se “ushtria e tij” ishte veç “një pushkë habertare” (kushtrimtare) që kur duhej e mblidhte aty krejt Malësinë e Gjakovës, gati për në luftë (duke ia treguar me dorë “Lugun e Malësisë” dhe numëruar fiset e saj). Ai i ktheu përgjigjen Sulltanit se ato male dhe njerëzit e tyre janë të vështira për t’u pushtuara vetëm me Ushtrinë Perandorake!
Në verën e vitit 1855, malazezë velikas të Plavës, “cubër të kriminalizuar”, të sllavizuar, gjakatarë, të prirë nga kryekomiti i tyre Turr Vuksani, ia vodhën Ibër Ali Nezajt tufën e deleve me qingja në verim, në kullotë alpine, në afërsi të Lkenit të Dashit, në bjeshkën e Dobërdolit. Nezajt delnin në bjeshkë edhe në Pojanë e në Ujezë (Tellat e Nezajve). Ibra me shipshanikët e tij e të tjerë luftëtarë nga Malësitë, pasi ringjitet në bjeshkë, duke mos e pranuar e duruar këtë grabitje të rëndë e të keqe për traditat e nderin e Maleve Shqiptare, ia msynë kah fshati Velika, tuj e marrë tufën e tij edhe ma të shumueme. Në rrugën e kthimit, bash tek Shkëmbi i Vujkut në Dobërdol, ia mbrrini çeta e komitëve velikas, ku patën një përballje luftarake. Patën një duel kalorsiak, ku përtej rregullave klasike të duelit, mbetën te dy të vrarë: Ibra i Shipshanit dhe kryekrimineli Vuksani i Velikës. Krisën pushkët e konfliktit, të betejës përballëse të malësorëve plisbardhë dhe çetnikëve velikas kapicëzi, të cilët e vodhën aty pushkën e Ibër Ali Nezajt dhe morën arrati andej nga kishin ardhur, drejt Velikës. Trupi i Ibër Ali Nezaj, sipas amanetit të tij: “në vdeksha nga pushka më varrosni aty ku më derdhet gjaku”, u preh përjetësisht tek Kërshi i Vujkut në bjeshkën e mirë etnike të Dobërdolit, pikërisht aty ku sot ndahet kufiri treshtetësh ballkanik: Shqipëri-Republika e Kosovës-Mali i Zi.
Marrja “trofe lufte” e pushkës së Ibër Ali Nezajt ishte një “vdekje e dytë”, sepse pushka dhe gruaja ishin kulte, gjërat më të shenjta, më të paprekshme për shqiptarët, për Malësinë e Gjakovës, për Malësorët e Alpeve Shqiptare. Andaj, djali i tij 20 vjeçar, Ali Ibër Nezaj, si-vllaun e tij Ahmet Sadria i Shipshanit dhe probatimin (vëllamin) e tij pothuaj moshatarë, Jakup Ferrin, por edhe me të tjerë, asaj vjeshte e dimri, deri në dalje të pranverës, e banë planin me i ra Velikës e me e marrë pushkën e Ibër Ali Nezajt. Në Malësi të Gjakovës e gjithandej përdorej shpeshtas shprehja: “Je ba i pa shpirt, si me kanë shka Velike!”, sepse velikasit e atëhershëm ishin si Arkanët në Kosovë, ishin “një zgjua militaristësh, një çerdhe kriminelësh” që bënin krime duke vrarë dhe fëmijë, gra e pleqë, që grabitnin çdo gjë në shtëpiat e shqiptarëve, ua digjnin shtëpitë, ua nxinin jetën shqiptarëve të Alpeve, në vrri e bjeshkë, në Plavë-Guci, Malësi të Gjakovës e gjithandej. Ishin mbi 30 shipshanikë e u banë rreth 100 luftëtarë, të cilët me një plan të detajuar, në fshehtësi, në një ditë feste për velikasit, të cilët edhe ishin dehur nga shliva malazeze, i vunë flakën fshatit Velikë, u vranë gjithata velikas famëkëqinj dhe Ali Ibra me Ahmet Sadrinë hynë në kullën e Turr Vuksanit dhe e morën armën e Ibër Ali Nezajt. Ishte një betejë e madhe, e jashtëzakonshme, aq sa prej asaj dite e deri mbi dy dekada ma vonë, në Betejat e Nokshiqit, kur i ndigjonin thirrjet: “O prite Ali Ibren e Malësinë e Gjakovës” velikasit, “enklavë kriminelësh”, e ndjenin frikën deri në ashtin e palcën e tyre antishqiptare.[13]
Ali Ibër Nezaj hyri në “Oda Malësore”, në këtë “Parlament”, Universitet Popullor”, qyshce herët, në moshën 20 vjeçare, pas vrasjes së të atit, po prej nga pranvera 1856, kur ua mori velikasëve “pushkën robinë, trofe” të të atit dhe pas asaj beteje të madhe e të jehonshme ndaj Velikës e velikasve antishqiptarë, ai kishte një “status” tjetër, emri i tij hyri në odat e kuvendet e Shqiptarëve të Veriut, hyri në histori, mbeti në këngë, udhëtoi ndër brezni shqiptare.
Referenca
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Prof. dr. Xheladin GOSTURANI, albanolog, Tiranë: Ali Ibra dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit”. Monografi. SHB “Koha”. Tiranë, 1999. Fq. 149. ISBN: 9992763729
- ^ Hamit ALIAJ, studiues, Tiranë-Tropojë: “Ali Ibër Nezaj / Monografi. Red. Beskida Aliaj. SHB “Kristalina KH”. Tiranë, 2012. Fq. 192. ISBN: 9789995643836
- ^ Xhafer BELEGU, historian, diplomat, Elbasan: “Lidhja e Prizrenit e veprimet e sajë: 1878-1881”. Monografi. SHB “Kristo Luarasi”. Tiranë, 1939. Fq. 199.
- ^ Prof. dr. Shevqet Sahit CANHASI, Gjakovë: “Strategu dhe Burrështetasi Sulejman Vokshi (20 shkurt 1815-1890)”. Monografi. Shoqata e Intelektualëve “Jakova”. Gjakovë, 2021. Fq. 482. ISBN: 9789951661553
- ^ Elez QERIMAJ, historian, Tropojë: Malësia e Gjakovës (Tropoja) në Rrjedhën e Historisë Kombëtare”. Monografi. SHB. “Kristalina KH”. Tiranë, 2008. Fq. 348. ISBN 9789995665050 Myftar MEMIA, studiues, Tiranë: Fjalori Enciklopedik Shqiptar. Vëll. II. Tiranë, 2008. Fq., 969.
- ^ .- Myftar MEMIA, studiues, Tiranë: Fjalori Enciklopedik Shqiptar. Vëll. II. Tiranë, 2008. Fq., 969.
- ^ AQSH. Tiranë. Fondi 170 - “Komisioni i Vetqeverimit, të Malësisë së Gjakovës” (25-Vjetori i Pavarëisë së Shqipërisë). Viti 1937. Dosja Nr. 55. Fq. 20
- ^ TËRSHANA, Nënprefekt i Malësisë së Gjakovës (Tropojë): “Vendimi Nr. 2, datë 17 korrik 1937, i Komisionit për Kremtimin e 25-Vjetorit të Vetëqeverimit, të Malësisë së Gjakovës”. AQSH. Tiranë.
- ^ Ibrahim Kadri MALAJ, studiues, Tropojë: “Lindja e “Oxhaqeve në Malësinë e Gjakovës”. Studim. Gazeta “Tropoja”. Nr. 6. Tiranë, Shkurt 2019.
- ^ Ali LUSHAJ, studiues, Tropojë: “Shipshani i Malësisë së Gjakovës”. Monografi. SHB “Dardania”. Tiranë, 1999. Fq. 484.
- ^ Hamit ALIAJ: “Ali Ibër Nezaj”. Monografi. (Po aty). Fq. 34. ISBN: 9789995643836.
- ^ Prof. dr. Xheladin GOSTURANI: Ali Ibra dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit”. Monografi. (Po aty). Fq. 21. ISBN: 9992763729.
- ^ 13.- Hamit ALIAJ: “Ali Ibër Nezaj”. Monografi. (Po aty). Fq. 48-55. ISBN: 9789995643836