Bahri Omari
Bahri Omari | |
---|---|
Ministër i Punëve të Jashtme | |
Në detyrë 7 shkurt, 1944 – 16 qershor, 1944 | |
Paraprirë nga | Rexhep bej Mitrovica |
Pasuar nga | Eqrem bej Vlora |
Të dhëna vetjake | |
U lind më | 10 shkurt, 1889 Gjirokastër, Perandoria Osmane |
Vdiq më | 13 prill, 1945 Tirana, Shqipëri |
Nënshtetësia | Shqiptar |
Bashkëshortja/et | Fahrije Hoxha |
Fëmijët | Luan Omari, Fatosi |
Punësimi | nëpunës |
Bahri Omari (Gjirokastër, 10 shkurt 1889[1] - Tiranë, 13 prill 1945) ishte publicist, nëpunës, botues, ministër dhe veprimtar i Ballit Kombëtar. Ka qenë kunati i Enver Hoxhës, diktatorit të ardhshëm komunist të Shqipërisë, i cili pas Gjyqit Special firmosi dënimin me vdekje të Omarit.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në Gjirokastër, i biri i Iljaz Hilmi Omarit dhe Rehos,[2] i ati ishte pronar i vogël tokash. U shkollua në ruzhdijen vendase dhe më pas në idadijen e Janinës,[3] më tej në Shkollën Civile të Administratës Mbretërore "Mekteb-i Mülkiye-i Şahane" në Stamboll për Shkenca Politike-Administrative ku u diplomua më 1911.[4] Asokohe ishte i abonuar në gazetën frënge Le Temps.[5]
Në moshën 25 vjeçare u emërua nënprefekt i Himarës. Organizoi dhe udhëhoqi çetat patriotike kundër andarteve greke gjatë pushtimit grek të Shqipërisë së jugut që zgjati deri nga mbarimi i Luftës së Parë Botërore.[6]
Më 1915 Omari shkoi në ShBA, ku ai u bë drejtor i gazetës Dielli të shoqatës pan-shqiptare Vatra. Në 1919 ai u kthye në Shqipëri dhe mori pjesë dy herë në zgjedhjet parlamentare, në 1921 dhe 1923, si përfaqësues i opozitës duke i qëndruar përballë partisë së Myfit bej Libohovës në prefekturën e Gjirokastrës.[7]
Në vitin 1924, gjatë qeverisë së Fan Nolit, themeloi dhe u zgjodh sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike-Nacionale dhe botoi redaktoi organin e saj, Shekulli.
Pas rrëzimit të qeverisë së Nolit nga Ahmet Zogu në vitin 1924, Omari lëvizë nepër Europë gjatë kohës u formua dhe "Bashkimi Kombëtar" ku aderoi.[2] Në Bari u ngulit ku ai qëndroi deri më 1939. Këtë vit ai u kthye në Tiranë, i survejuar nga italianët.[8] Në 1942 u bë anëtar i organizatës Balli Kombëtar. Enver Hoxha strehohej shpesh në shtëpinë e tij në Tiranë që ia kishte marrë me qira Ali Mulletit. E ndihmoi shumë Enver Hoxhën ekonomikisht gjatë kesaj periudhe ashtu siç e kishte ndihmuar edhe më parë gjatë studimeve të tija të paplota në perëndim. Gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste ai u bë Ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës 5 nëntor 1943-16 qershor 1944.
Për këtë pozicion që ai mbajti u arrestua dhe u burgos pas ardhjes në pushtet të partizanëve. Gjatë burgut luante shah, siç kishte bërë edhe gjatë emigracionit sipas Kol Tromarës - mik i ngushtë i tij qyshë nga kohët e emigracionit anti-zogist.[9] në vitin 1945 ai u arrestua dhe u dënua me vdekje nga Gjyqi Special.[8] Prokuror i çështjes ishte Bedri Spahiu, ndërsa kryetar i Trupit gjykues zëvendëskryeministri, gjeneral-lejtënant Koçi Xoxe, një njeri me shkollim fillore, me profesion teneqexhi, ashtu si edhe prokurori Spahiu: një ish-toger i çgraduar dhe i çmobilizuar i Ushtrisë Mbretërore që në vitin 1935, pa kurrfarë formimi juridik dhe njohje të ligjeve. Gjyqi u zhvillua në kinema "Kosova" (sot "Teatri Kombëtar"), ndërsa mijëra vetë e ndiqnin atë nëpër rrugë nga altoparlantët që qenë vendosur kudo në Tiranë. Vendimi u dha më 13 prill 1945, ora 10.00.[10] U ekzekutua ditën e nesërme në një hendek tek Kodra e Priftit në Tiranë.[8] Para pushkatimit u thirri shokëve:[11]
“Ktheni ballin nga pushkët! Tradhtarët vriten pas shpine. Ne nuk jemi tradhtarë. Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”.
Nderime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 2004, me interesimin e të dënuarve të Gjyqit Special dhe me kujdesin e Institutit të të Përndjekurve, nga qeveria Berisha u akordua një fond për ndërtimin e një përmendoreje në një varr simbolik në varrezat e Sharrës. Në atë varr të përfunduar më 2007 u depozituan ato pak eshtra të gjetura. Në përmendore u shënuan emrat e të dënuarve të Gjyqit Special, si dhe emrat e P. Anton Harapit, Maliq bej Bushatit dhe Lef Nosit.[12]
Më 24 nëntor 2014, me propozimin e Federatës Panshqiptare Vatra për të nderuar martirët e Vatrës, Presidenti i Republikës Bujar Nishani, i akordoi Bahri Omarit si edhe vatranëve të tjerë të martirizuar ga regjimi totalitar komunist, urdhrin "Nderi i Kombit".[13]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 198. ISBN 9789994356225.
- ^ a b Koli, Shpëtim (13 korrik 2011). "Rrëfimi në gjyq i Bahri Omarit për takimet ilegale me Enver Hoxhën". Mapo (313): 13.
{{cite journal}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ Clayer, Nathalie (2020). "Studentët shqiptarë në Mekteb-i Mülkiye: rrjetet shoqërore dhe prirjet ideore". Përpjekja. XXI (36–37): 252.
- ^ Özdalga, Elisabeth (2005). Late Ottoman Society: The Intellectual Legacy (në anglisht). Psychology Press. fq. 315. ISBN 9780415341646.
- ^ Clayer 2020, p. 234.
- ^ Omari, Donika (2015). Bahri Omari: jeta dhe veprimtaria. Tiranë: Kumi. fq. 5. ISBN 978-9928-181-39-8.
- ^ Istrefi, Diana (2005). "Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005" (PDF). parlament.al. Tiranë. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 18 korrik 2019. Marrë më 19 mars 2021.
- ^ a b c Vandeleur, Robinson (1945). "Albanian treason trials: (known as war criminal trials): March-April 1945". albanianhistory.net (në anglisht).
- ^ Kaloçi, Dashnor (19 prill 2001). "Burgu i Tiranës: Ja misteret e tij në vitin 1945: Dëshmia e Xhemal Alihmehmetit". Gazeta shqiptare (1848): 12–13.
- ^ Fevziu, Blendi (2011). Enver Hoxha: e para biografi e bazuar në dokumente të arkivit personal dhe në rrëfimet e atyre që e njohën. Tiranë: Uet press. ISBN 9789995639358.
- ^ Omari 2015, p. 65.
- ^ Omari 2015, p. 62.
- ^ Omari 2015, p. 70.