Jump to content

Hekata

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Skulpturë e Hekatës

Hekata (greqisht: Ἑκάτη, Hekate; latinisht: Hecate) - hyjnesha e botës nëntokësore me tre krerë dhe tre trupa, sunduese e qenieve të përbindshme dhe të magjistarëve.

Sipas Hesiodit ishte e bija e Titanit Perze dhe gruas së tij Asterisë, ndërsa zoti suprem, Zeusi, e ka dhuruar me fuqi të madhe. Paraqitej si person i trefishtë: në qiell si hyjneshë e hënës, në tokë si hyjneshë e lindjes dhe e rinisë, ndërsa në botën nëntokësore si sundimtare e fuqive nëntokësore dhe kështu është shkrirë me hyjneshat Selena, Artemia dhe Kibela (ndonjëherë edhe me Perzefonën). Ka kaluar nëpër shumë shndërrime, zhvillimi i të cilave nuk është i ndriçuar në mënyrë të thjeshtë. Prej hyjneshës së mirfilltë të madhërishme, e shquar për nga mençuria, u bë mbrotjse dhe mësuese e magjistarëve, nga qielli arriti në botën më të thellë nëntokësore, ndërsa prej hyjneshe mbrojtëse të njerëzve të rinjë (dhe në përgjithësi të shoqërisë njerëzore), u shndërrua në sundimtare të magjive dhe të mrekullive. Besohej se kundër njerëzve dërgonte përbindësh të ndryshëm, e veçmas Empuzën e tmerrshme njëkëmbëshe dhe se gjatë netve të errëta vetë dilte në botë ku me tufën e qenëve dhe fantazmave nga bota nëntokësore bredhte nëpër rrugë dhe udhëkryqe.

Njerëzit mbroheshin prej saj me trupore të shuguruara dhe me hajmali në formë të shtyllave, të cilat vendoseshin nëpër vendbanime, para dyerve të qytetit dhe në udhëkryqe. Ditën e fundit të muajit para shtatoreve të saja vendosnin ushqim, të cilin pastaj e hanin me shumicë të varfërit (të ashtuquajturat Gosti të Hekatës).

Edhe pse Hakatën e ndeshim që në regjistrin e zotërave më të lashtë grekë (Homeri nuk e përmend ende), duket se ka qenë hyjni me prejardhje nga Azia e Vogël. Kulti i saj, në fillim, është shtrirë veçmas në Atikë dhe në Arg, e pastaj edhe në botën tjetër greke e romake. Më vonë është bashkuar të ndryshme misterioze. Në fillim grekët e paraqitnin si grua të ndershme me vravashkë dhe me një trup të vetëm. Të tillë e njohim veçmas nga pikturat e shumta në vaza. I pari që e paraqiti kështu me tre trupa gjoja ka qenë Alkameni, nxënësi i Fidisë në gjysmën e dytë të shek. V para e.s. Kjo shtatore, e vendosur në tempullin e hyjneshës Nike në Akropol, u bë model i të gjitha të tjerve, të cilat nga antika na janë ruajtur mjaft shumë. Disa shtatore të mëdha të Hekatës të periudhës helenistike dhe romake gjenden në Muzeun e Vatikanit, ndërsa të tjerat edhe në koleksione të tjera; në Kroaci p.sh. është Hekata prej mermerit në madhësi natyrale, me siguri nga fillimi i e.s., dhe gjendet në koleksionin e kuvendit françeskan në Sinj. Prej relieve më i njohuri është i ashtuquajturi Hekata me Artemidën nga frizi lindor i tempullit të Zeusit në Pergam (nga viti 180-160 para e.s., që sot gjendet në Muzeun Shtetëror të Berlinit lindor). Në vitin 1962 zgjoi interes gjetja e tri truporeve të saja dhe dy basrelieveve nga koha romake ne qytetin rumun, Konstancë.