Shefqet Bruka
U lind në | 1 janar 1963 |
---|---|
Kombësia | shqiptar |
Profesioni | Politikan |
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lindi në vitin 1963, në fshatin Resk të Ujmishtit në Kukës. U diplomua në Fakultetin e Mjekësisë (dega stomatologji) të Universitetit të Tiranës në vitin 1986. Punoi fillimisht në poliklinikën e Kukësit, më pas transferua në fshatin Kalis. Në janar të 1991 iu bashkua Partisë Demokratike, dhe tre vite më vonë në 1994 u zgjodh kryetar i degës së kësaj partie në Kukës.
Në vitin 1996, u zgjodh në krye të Këshillit të Rrethit Kukës. Mandati i tij rastisi me një periudhë mjaft të vështirë në historinë e zonës, me trazirat që shpërthyen në mars të 1997, dhe luftën e Kosovës në vitet 1998-1999. Si anëtar i këshillit të emergjencave bashkërendoi punën e Kombeve të Bashkuara me qeverinë shqiptare në dhënien e ndihmës ndaj refugjatëve të ardhur nga Kosova. Pas mbarimit të mandatit, punoi pranë disa organizatave ndërkombëtare.
Në vitin 2007, Shefqet Bruka u zgjodh kryetar i Këshillit të Qarkut Kukës. Disa prej arritjeve të këtij mandati ishin programi i zhvillimit ndërkufitar me Kosovën dhe Malin e Zi, përfundimi e përurimi i aeroportit të Kukësit, ndërtimi i rrugëve Kukës-Peshkopi dhe Kukës-Shishtavec, dhe grante të ndryshme në mbështetje të fermerëve e sektorit turistik. Në qershor të 2010, Bruka shpalli të kryer digjitalizimin e plotë të kadastrës së Qarkut Kukës, duke e bërë këtë qark të parin që ofronte këtë shërbim për qytetarët e vet. Ky projekt bëri jehonë, dhe u bë shkak që në numrin e 14 janarit 2011 të revistës "Klan", Bruka të cilësohej si një ndër personalitetet e vitit 2010.
Në vitin 2012 u emërua drejtor i Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD), detyrë të cilën e mbajti deri në 2014.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Revista Klan: 10 Personalitetet e vitit 2010
- Gazeta Shqip: Zgjidhet Shefqet Bruka me 100% të votave[lidhje e vdekur]
- Gazeta Shqip: Kukës, ditari i krizës kosovare[lidhje e vdekur]
- Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit: Qarku Kukës me kadastër digjitale. Ministri Pollo: Digjitalizimi i vendit për një zhvillim më të shpejtë
- Agjencia Telegrafike Shqiptare: 27 Mars 1999
- Koha Jonë: Kur Kukësi priti mbi 450.000 shqiptarë nga Kosova
Lidhje te jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]https://web.archive.org/web/20120306154239/http://www.qarkukukes.gov.al/