Skepticizmi
Skepticizmi, i shkruar gjithashtu skepticizëm, është një qëndrim pyetës ose dyshim ndaj pretendimeve të dijes që shihen thjesht si besim ose dogmë. Për shembull, nëse një person është skeptik në lidhje me pretendimet e bëra nga qeveria e tyre për një luftë në vazhdim, atëherë personi dyshon se këto pretendime janë të sakta. Në raste të tilla, skeptikët zakonisht rekomandojnë jo mosbesimin, por pezullimin e besimit, d.m.th., mbajtjen e një qëndrimi neutral që as e pohon dhe as nuk e mohon pretendimin. Ky qëndrim shpesh motivohet nga përshtypja se provat e disponueshme janë të pamjaftueshme për të mbështetur pretendimin. Formalisht, skepticizmi është një temë me interes në filozofi, veçanërisht në epistemologji. Më informalisht, skepticizmi si shprehje e pyetjeve ose dyshimeve mund të zbatohet për çdo temë, si politika, feja ose pseudoshkenca. Shpesh zbatohet brenda fushave të kufizuara, si morali (skepticizmi moral), ateizmi (skepticizmi për ekzistencën e Zotit) ose mbinatyrorja. Disa teoricienë dallojnë skepticizmin "i mirë" ose të moderuar, i cili kërkon prova të forta përpara se të pranojë një pozicion, nga skepticizmi "i keq" ose radikal, i cili dëshiron të pezullojë gjykimin pafundësisht.
Skepticizmi filozofik është një formë e rëndësishme e skepticizmit. Ai hedh poshtë pretendimet e njohurive që duken të sigurta nga këndvështrimi i sensit të përbashkët. Format radikale të skepticizmit filozofik mohojnë se "njohuria ose besimi racional është i mundur dhe na nxisin të pezullojmë gjykimin për shumë ose të gjitha çështjet e diskutueshme". Format më të moderuara pretendojnë vetëm se asgjë nuk mund të dihet me siguri, ose se ne mund të dimë pak ose aspak për çështjet joempirike, të tilla si nëse Zoti ekziston, nëse qeniet njerëzore kanë vullnet të lirë ose nëse ka një jetë të përtejme. Në filozofinë e lashtë, skepticizmi kuptohej si një mënyrë jetese e lidhur me paqen e brendshme.
Skepticizmi ka qenë përgjegjës për shumë zhvillime të rëndësishme në shkencë dhe filozofi. Ai gjithashtu ka frymëzuar disa lëvizje shoqërore bashkëkohore. Skepticizmi fetar mbron dyshimin në lidhje me parimet themelore fetare, si pavdekësia, providenca dhe zbulesa. Skepticizmi shkencor mbron testimin e besimeve për besueshmërinë, duke i nënshtruar ato një hetimi sistematik duke përdorur metodën shkencore, për të zbuluar prova empirike për to.
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pse lindi skepticizmi? Sextus thotë se skepticizmi e ka origjinën tek shpresa për të arritur paqe ose qetësi shpirtërore. Njeriu është i shqetësuar, thotë ai, nga kontraditat në sendet dhe nga fatkeqësitë duke dyshuar se në cilat alternativa ai duhet të besojë. Sipas skeptikëve, në qoftë se ne zbulojmë dhe ndajmë të vërtetën nga gënjeshtra, ne mund të arrijmë qetësinë e mendjes. Ata theksonin se njerëzit që kërkonin të vërtetën mund të ndahen në tre grupe: në ata që mendojnë se e kanë zbuluar të vërtetën (këta skeptikët i quanin dogmatik); në ata që pranojnë se nuk e kanë gjetur dhe pohojnë se ajo nuk mund të gjendet; dhe së fundi ishin ata që këmbëngulnin në kërkimin e saj. Ndryshe nga dy qëndrimet e para, thotë Sextus, “skeptikët i përmbahen kërkimit”. Parimi bazë i skepticizmit, thotë Sextus, është se për çdo zgjidhje gjendet një zgjidhje e kundërt me të njëjtën vlerë. Skeptikët nuk hiqnin dorë nga ndërrmarrja e mendimeve të guximshme dhe nga debatet. Ata gjithashtu nuk mohonin faktet e qarta të jetës; se njeriu ka etje dhe uri, se ai është në rrezik kur i afrohet humnerës. Për skeptikët, njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm për sjelljen e tyre. Ata nuk kan dyshim se jetojnë në një botë “reale”. Ata interesoheshin vetëm nëse kjo ishte përshkruar mirë apo jo. Asnjë njeri, thotë Sextus, nuk mund të diskutojë pse objektet kanë këtë ose atë dukje; çështja është nëse “objekti është në realitet i tillë siç duket”. Jeta e përditshme, për skeptikët, duket se kërkon njohjen e kujdesshme të katër problemeve, të cilat Sextus i quan 1. drejtimi i natyrës; 2. detyrimet e ndjenjave; 3. tradita e ligjeve dhe zakoneve; dhe 4. miësimet e mjeshtërive. Në saje të drejtimeve të natyrës, ne jemi të aftë të ndjejmë dhe të mendojmë, Gjithashtu, në saje të forcës së ndjenjave, uria na çon drejt ushqimit, ndërsa etja drejt lëngjeve. Tradita e ligjeve dhe e zakoneve na detyron, në jetën e përditshme, të pranojmë respektin e perëndive si të mirë dhe mos respektimin e tyre si të këqij. Më në fund, Sextus thotë, se në saje të virtytit të mësimeve të mjeshtërive, ne përfshihemi në ato mjeshtëri që kemi zgjedhur. Sextus thotë, se ata që thonë se skpetikët mohojnë dukjen, ‘mua më duket se nuk i njohin deklaratat e shkollës sonë. Ajo nuk pyet për dukjen, por vetëm “për atë që jepet nga dukja”. Si shembull, Sextus thotë se nga dukja merret vesh se mjalti është i ëmbël dhe “këtë ne e pranojmë, sepse ne e ndijojmë ëmbëlsinë nëpërmjet shqisave…” Por çështja në të vërtetë qëndron në atë nëse është ai me të vërtetë i ëmbël. Skeptikët dallonin dy tipe hulumtimesh: ata që kanë të bëjnë me çështjet e qarta dhe ato që kanë të bëjnë me çështjet jo të qarta. Çështjet e qarta, siç është nata apo dita, nuk ngrejnë probleme serioze për dijen. Në këtë kategori ka kërkesa të qarta për qetësi sociale dhe personale, sepse ne e dimë që zakonet dhe ligjet e mbajnë shoqërinë të bashkuar. Çështjet jo të qarta, si për shembull, cila është natyra e lëndës prej së cilës janë të përbërë atomet, ose lënda e zjarrtë, ngrejnë kundërshtime intelektuale. Shqisat janë mashtruese – Fakti është se shqisat na japin informacion të ndryshëm rreth të njëjtit objekt në kohë të ndryshme dhe në rrethana të ndryshme. Nga larg një katror duket i rrumbullakët. Pejsazhi duket i ndryshëm në orë të ndryshme të ditës. Për disa njerëz mjalti është i hidhur. Shumica e dijeve tona janë bazuar në perceptime, për të cilat ne nuk kemi një kriter të së vërtetës. Pra, konkluzioni i skeptikëve është se ne nuk mund të jemi të sigurt, nëse dijet tona, për natyrën e sendeve, janë të vërteta apo jo. Rregullat morale ngrejnë dyshime – konceptet morale, ashtu si objektet fizike, janë objekt i dyshimit. Njerëzit e komuniteteve të ndryshëm kanë ide të ndryshme se çfarë është e mirë dhe e drejtë. Skeptikët bënin thirrje në teori dhe në fakt, se nuk ka provë që të tregojë se të gjithë njerëzit kanë aftësinë për të qenë dakord për të vërtetën morale universale dhe shtonin se nuk ka provë që të tregojë se njerëzit në fakt shfaqin këtë marrëveshje universale. Fakti është se njerëzit nuk janë dakord. Për më tepër secili nga ata që nuk është dakord mund të paraqesë argumente të forta për pikëpamjen e tij. Mbi çështjen e moralit nuk ka dije absolute, por ka vetëm opinione. Përfundimi i këtij qëndrimi skeptik në lidhje me njohuritë tona mbi natyrën e sendeve dhe mbi njohuritë tona për të vërtetën morale, është se ne kemi të drejtë të dyshojmë mbi vlefshmërinë e dijeve. Derisa ne na mungon një dije e sigurt atëherë ne kemi të drejtë të refuzojmë gjykimin mbi të gjitha çështjet. Mundësia e sjelljes morale për sigurinë intelektuale – Skeptikët argumentuan se nuk është e nevojshme që të kesh njohuri për të arritur një sjellje të arsyeshme. Është e mjaftueshme, thonë ata që të kesh një siguri të arsyeshme ose siç e quanin ata probabilitet. Nuk ka kurrë siguri absolute, por në qoftë se ke një probabilitet të fortë se idetë tona do të na çojnë drejt një jete të lumtur dhe të qetë, ne duhet t’i provojmë duke i ndjekur këto ide. Në qoftë se pyesim nëse skeptikët kanë një “sistem”, Sextusi përgjigjet “jo”, në qoftë se me sistemin kuptohet “bindja ndaj një numri dogmash, të cilat varen nga njëra tjetra dhe nga dukja dhe ku me “dogmë” kuptohet “pranimi i çështjeve të paqarta”. Por në qoftë se me sistemin kuptohet “një procedurë, e cila, në përputhje me dukjen, na çon në një rrugë të caktuar të arsyetimit… duke na treguar se si është e mundur të shohim jetën e drejtë…” atëherë skeptikët kanë një sistem. Është kështu sepse siç thoshte Sextusi “ne ndjekim një linjë arsyetimi, e cila… na çon drejt jetës që i përgjigjet zakoneve, ligjeve, institucioneve të vendit tonë dhe ndjenjave tona instiktive”.