Tertuliani
Tertuliani ose Tertullian (Latinisht: Quintus Septimius Florens Tertullianus; 160 – 220) shkrimtar nga Kartagjena.
Nga letrat e tij shihet se Tertuliani e njeh mirë të drejtën. Në Kartagjenë përparon edhe në retorikë. Në fenë e krishterë kalon rreth vitit 196. Shën Jeronimi thotë se ishte meshtar, por kjo nuk është e sigurt. Natyra e tij tejet e rreptë e shtyn Terulianin që të marrë anën e montanistëve, pasuesve të lëvizjes së themeluar nga Montani, të cilët besonin se kishin karizma të ndryshme, karizma të cilat t'ua mësonin edhe të tjerëve. Montanistët predikonin se për një kohë të shkurtër do të bëhet shkatërrimi i botës. Në këtë pikëpamje edhe Tertuliani tregon dobësinë e vet, flet kundër papës, saktësisht kundër Kalikstit, duke thënë se ka mëkate të cilat nuk mund t'i falen, bën fjalë edhe kundër sakramentit të martesës.
Megjithë këtë dobësi, Tertuliani ka merita të mëdha për krishtërimin. Ai thotë se Jezu Krishti ka dërguar dymbëdhjetë apostujt të predikojnë dhe askënd tjetër. Këtë mësim apostujt ua lanë ipeshkvijve dhe bashkësive të cilat u formuan. Vetëm Kisha e ruan këtë unjësim të Shkrimit të shenjtë. Ky mësim i Tertulianit ishte një grusht i rëndë për heretikë dhe hereza të asaj kohe, që mundoheshin të falsifikonin mësimet e Krishtit.
Tertuliani ishte më i madhi shkrimtar i ritit latin, natyrisht pas shën Agostinit. Ka shkruar shumë vepra, por nuk janë lexuar shumë në Kishë sepse ishin të rënda dhe monotone, e ajo u bënte përshtypje njerëzve sikurse të ishin herezi.
Shkrimet apologjetike
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Apologeticum - e shkruar rreth vitit 197: Tertuliani me këtë vepër iu drejtohet udhëheqësve të provincave të Perandorisë romake. Kjo vepër është më e rëndësishmja. Shkrimtari i mbron të krishterët, sepse ata i mundonin në mënyra të ndryshme, vetëm e vetëm se ishin të krishterë, e nuk iu lejonin që të mbrohen. Tertuliani thotë se të krishterët janë bashkësi e ligjshme, por edhe njerëzit më të mirët në Perandori, janë edhe shtetas të mirë. Krishtërimi është filozofi e vërtetë dhe salvimi ndaj tyre nuk ka kuptim, sepse sa më tepër që t'i vritni, ata aq më tepër shtohen. Tertuliani i pari e përdorë fjalinë që shumë herë e përserisim edhe sot: Gjaku i martirëve është fara e të krishtërve të rinj (Apo 50-13).
Apologjia tjetër është Ad nationes – Popujve. Në këtë apologji Tertuliani kritikon etikën pagane.
Adversus Iudeos – Kundër judenjve, Tertuliani argumenton se Besëlidhja e Vjetër është dashur t'ia lëshojë vendin Besëlidhjes së Re. Me mësimin e profetëve dëshmon të vërtetën e krishterë.
De testimonio animae – Dëshmia e shpirtit, Tertuliani dëshmon dhe zhvillon temën se paganët mendojnë se Zoti sheh dhe për të vdekurit thonë pushofshin në paqe. Kështu del se ata nuk e mohojnë Zotin në të cilin ne besojmë.
Tertuliani ka edhe shkrime dogmatike:
– De praescriptione haereticorum, në tërësi lufton të gjitha herezat. Kisha Katolike është e vetmja që ka të gjitha të vërtetat e fesë. Heretiket nuk kanë fenë e vërtetë, sepse jetojnë jashtë Kishës Katolike.
– Adversus Hermogenem (Kundër Hermogenit). Hermogeni ishte filozof i Antiokisë, i cili kalon në Kartagë. Tertuliani thotë se Hermogeni e la fenë për shkak të filozofisë. Tertuliani thotë dhe argumenton se Zoti në krijimin e natyres nuk shërbehet më asgjë tjetër, veçse me Logosin. Prandaj materia nuk është e amshueshme sikur Zoti.
– De baptismo (Mbi pagëzimin). Heretiket bënin pyetje si mund uji si materie të pastrojë shpirtin? Në qoftë se pagëzimi është i domosdoshëm për shëlbim, pse atëherë apostujt nuk janë pagëzuar? Tertuliani si shembull merr kalimin nëpër Detin e Kuq dhe ngjarjet e tjera nga Besëlidhja e Vjetër. Përveç pagëzimit me ujë, merr shembull edhe pagëzimin me gjak, atë të martirëve të shumtë. Tertuliani mendon se pagëzimi që kanë dhe që bëjnë heretikët është i pavlefshëm.
– De anima (Mbi shpirtin). Tertuliani këtu përgjigjet në tri pyetje: Çka është shpirti, çfarë fillimi ka dhe fati i tij pas vdekjes. Ai ka parasysh filozofinë stoike. Bazohej në traducianizëm (prindërit me ngjizjen e fëmijës bartin në jetë edhe shpirtin).
Tertuliani ka edhe shumë vepra të tjera. Disa prej tyre janë me karakter heretik.
Në Apologeticum për heretikët shkruan: Më mirë u vjen të mos dinë. Dhe pyet: pse? Sepse urrejnë, ndërsa feja e krishterë nuk lejon urrejtjen. Kur nuk ka arsye për urrejtje, atëherë është e mundur pa arsye të urresh. Në qoftë se bindeni se për të keni arsye, urrejtja nuk zvogëlohet, por rritet. Neve na njihni që të mund të rriteni në urrejtje. Por keni dëshirë më të madhe të mos na njihni dhe këtu është thellësia e së keqes.
Tertuliani ishte dhe mbeti i madh, krahas asaj se kaloi në montanizëm, edhe pse për historinë e Kishës mbetet figurë e zbehur, sepse në disa vepra të veta shihet si heretik, por prapëseprapë ne e njohim në të vërtetat e fesë që ka një thellësi fetare dhe dogmatike.
Krahas të gjithave, Tertuliani mbetet për ne luftëtar i së vërtetës.
Vlerësim
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Tertuliani (160-245) ishte jurist në Kartagjenë të Afrikës Veriore dhe një anti-gnostik i dalluar. Ai është ati i vërtetë i teologjisë latine dhe formuluesi i fjalorit të Trinisë dhe të kristologjisë. Ai ishte kundër çdo lidhjeje midis fesë dhe filozofisë, mirëpo ai nuk ishte i vetëdishëm se në ç’masë ishte vetë nën ndikimin e stoicizmit (moralizimi i rreptë). Përfundimisht, u bë anëtar i sektit të montanizmit me etikën e puritanizmit dhe të rizgjimit.
Ai e pa të vështirë t’i përgjigjej pohimit të Marcionit, i cili thoshte se Besëlidhja e vjetër nuk ishte plotësisht e krishterë. Si pasojë e përpjekjeve për t’u pajtuar këto dy palë, lloji i tij i krishterimit u quajt «judaizëm i pagëzuar». Pasuesi i tij, Cipriani, përzjeu predikuesit e krishterë me priftërinjtë e Besëlidhjes së vjetër dhe urdhërimet e krishtera me flijimet e Besëlidhjes së vjetër. Ky shënoi fillimin e sakramentalizmit. Mirëpo, shumica e njerëzve kishtarë i kapërceu vështirësitë e kësaj fushe duke alegorizuar ose duke e përshpirtëruar Besëlidhjen e vjetër.
Botëkuptimi i Tertulianit për kishën edhe më vonë shkaktoi probleme. Ai tha se kisha apostolike ka të drejtë të deklarojë se është zëdhënësja e Perëndisë (ndikimi montanist?). Më vonë ky qëndrim u shërbeu atyre që dëshironin që kisha të jetë mbi arbitrazhin e Shkrimit të shenjtë.
Tertuliani e shikoi edhe pagëzimin si një rit me fuqi të madhe: sipas tij «uji ka fuqi ta pastrojë njeriun nga mëkati falë emrit të Jezusit, në të cilin thirret pagëzimi.» Me kalimin e kohës u rrit besëtytnia në lidhje me pagëzimin dhe besohej se mund të pagëzoheshin edhe fëmijtë dhe kufomat, praktikë kjo e cila u dënua në Kuvendin e Kartagjenës më 397.