Thonjëzat
Hyrje
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Thonjëzat e gjuhës shqipe janë këto: „...“, ‘...’. Thonjëzat tregojnë se fjalët e përfshira në to nuk janë të një natyre me pjesën tjetër të tekstit ose përdoren me një kuptim jo të zakonshëm.
Thonjëzen e parë „ në kompjuter e shënojmë duke përdorur pullën ALT dhe numrat 0132 pra ALT + 0132 = „. Ndërsa thonjëzen mbyllëse e shënojmë (shtypim) me ndihmën e pullës ALT dhe numrave 0147, pra ALT + 0147 = “.
Përdorimi i thonjëzave
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]§ 116. Thonjëzat përdoren në ligjëratën e drejtë dhe në citime për të veçuar e për të dalluar fjalët që riprodhohen, nga fjalët e autorit (fjalët që paralajmërojnë fjalët e riprodhuara ose që tregojnë se kujt i përkasin ato fjalë):
Gjysmë ore më parë dikush vraponte nëpër bulevard duke thirrur si i marrë: „Qeveria ra. Qeveria ra.“
Shënime 1. Thonjëzat vihen pas pikëpyetjes a pikëçuditjes kur fjalët që riprodhohen, formojnë një fjali a periudhë pyetëse a thirrmore:
„A do ta kemi mbaruar çatinë para se të zënë shirat?“
- Ja, kjo na shqetësonte të dyve.
I panjohuri u kthye, dhe thirri me të madhe: „Ata kanë frikë nga ne!“
2. Kur fjalët riprodhohen, formojnë një fjali a periudhë dëftore dhe ndodhen pas fjalëve të autorit, thonjëzat vihen pas pikës:
Kujtoi kohën kur kishin punuar bashkë, dhe tha me mend: „kohë të bukura.“
Kur fjalët që riprodhohen, formojnë një fjali dëftore dhe ndodhen para fjalëve të autorit, pas thonjëzave vihet presje dhe vizë:
„E paska radhën plaku për të dëgjuar“, - thashë me vete dhe fillova të trokitja derë më derë...
3. Thonjëzat vihen pas shumëpikëshit, kur fjalët që riprodhohen, mbarojnë me të:
Por midis tyre kishte edhe nga ata që nuk e përmbanin dot veten dhe u thoshin shokëve: „T'u biem...“
4. Kur fjalët e autorit ndodhen në mes të fjalëve që riprodhohen, thonjëzat vihen në fillim e në fund, në qoftë se pas fjalëve të autorit nuk vihet pikë:
„Ismali që i ri kur ishte student,— tregon një nga shokët e tij të shkollës, - ishte i talentuar, që atëherë ai skicoi disa nga librat që dolën disa vite më pas ...“
Po, në qoftë se pas fjalëve të autorit vihet pikë, të dyja pjesët që formojnë fjalët e riprodhuara, vihen në mes thonjëzash:
Çdo ditë ne pritnim nisjen, më keq nga të gjithë i vinte gjyshes. Atë s'e mbante vendi. „Po si kështu, more bijtë e nënës, do të më lini vetëm?“ - na pyeste ajo me dashuri. – „Do të mbetet e shkretë kjo nëna pa ju !“
§ 117. Mbyllen në thonjëza fjalë me ngarkesë emocionale (ironi etj.) ose që janë përdoren me një kuptim të veçantë:
Në shtyp fjalët që përdoren me një kuptim të veçantë ose që kanë ngarkesë emocionale, mund të dallohen edhe me ndërrimin e karakterit të shkronjave.
Nëpër abetare dhe libra këndimi kishte lexuar kaq herë fjalën „Atdhe“.
Shënime 1. Kur një fjalë, grup fjalësh ose fjali, pjesë të një periudhë, të mbyllura në thonjëza, ndodhen në fund të fjalisë a të periudhës, shenja e pikësimit e fjalisë a e periudhës vihet pas thonjëzave:
Këtu del roli i madh që ka pasur dhe ka Evropa në ecjen e Shqipërisë, „Shqipëria do të bëhet pjesë e saj“.
2. Duhet të përdoren të dyja llojet e thonjëzave, në qoftë se bie rasti të përdoren thonjëzat brenda një teksti të mbyllur në thonjëza:
„Ne të dy ishim ulur pranë e pranë në shezlongë dhe dëgjonim muzikë. Tani i kishim kaluar të 50-at. Fëmijët kushedi si do të thonë ‘Këto këngë janë të vjetra, që para se ne kemi lindur’“.
§ 118. Të vihen mes thonjëzash parrudhat etj., kur jepen pas fjalëve parrudhë, thirrje, porosi, lëvizje etj.;
Parrudha e Partisë Demokratike është „Shqipëria në Evropë“
§ 119. Në thonjëza vihen, kur jepen në tekst, edhe emrat e përveçëm a togfjalëshat që emërtojnë:
a) gazeta, revista, libra, vepra muzikore, filma:
A e lexove sot gazetën „Drita“?
Teatri ynë vuri në skenë dramën „Toka jonë“.
Tek „Ulisi“ i Xhojsit, u ndjeva si një lexues elitë.
Vërejtje: emrat e librave, filmave, gazetave dhe revistave mund të mos vihen në thonjëza me kusht që ato të shkruhen me shkronja të pjerrëta;
shembuj:
i) Jul Variboba shkroi veprën Gjella e Shën Mërís Virgjër.
ii) Ai na tha se Kënka e sprasme e Balës është poema romantike më e bukur.
Ose nëse teksti është i shkruar në shkronja të pjerrëta, atëherë titulli s'duhet të jetë në të pjerrëta;
i) Dihet se Lumi i vdekur dhe Në kërkim të kohës së humbur janë romane voluminoze.
b) rrugë, bulevarde, sheshe, stadiume, lagje, hotele, kinema, teatro, ndërmarrje, kooperativa, uzina, kombinate, hidrocentrale, vaporë, shkolla etj.:
Jo ai banon në rrugën „Bardhyl“.
Rr. „Martin Camaj“, nr. 28, Prishtinë.
Sot luhet te stadiumi „Dinamo“.
Ne të gjithë, kishim mbaruar politeknikumin „7 nëntori“.
Por, emrat e rrugëve, shkollave etj., në tabela nuk vihen në thonjëza, pra, në tabelë duhet të jetë vetëm kështu:
Gjimnazi Jakov Xoxa. (pa pikë në fund)
Sheshi Skënderbeu.
Gjithashtu, në poezi kur jepet shembulli, s'ka pse titulli të jetë në thonjëza, p.sh.
Heshtja
Cigarja u dogj gjer në fund
Mbi tryezë gjumi më mori
Në xham era perdet i tund
Dhe hesht koridori.
Me kokë në tryezë të flesh
Te shohësh ëndrra të blerta
Sa ndot!...Te zgjohesh e prapë te gjesh
Në qoshe të vjellat e lëna nga jeta.
(Dritëro Agolli)
Emërtime të tilla, si: Hoteli i Gjuetarëve etj., që kanë në përbërjen e tyre emrat e përgjithshëm të përmendur në këtë pikë nuk vihen në thonjëza:
Kaluam afër Hotelit të Guetarëve por nuk kishim kohë të ndalonim, as për kafe.
urdhra:
Urdhri „Naim Frashëri“.
Titulli „Artist i Popullit“.
g) markat e cigareve, pijeve, makinave etj.:
Merr një „Tarabosh“, është i fortë.
Po gjete „Narta“ ose „Shesh i zi“, merr tri-katër shishe.
d) emra konvencionalë sidomos të sferës ushtarake:
Kjo radiolojë njihet me emrin „Buza e bredhit“.
§ 120. Në vepra shkencore vihet në thonjëza përkthimi a shpjegimi i një fjale të huaj ose përkthimi në gjuhë të huaj i një fjale shqipe:
Kështu, bie fjala, përkimet leksikore rumune-shqiptare: briu „brez“.
... termi „i prejardhur“ është përdorur me kuptimin e frëngjishtes „dérivé“.