periudhë
Appearance
PERIUDHË f.
- 1. Pjesë e gjatë kohe në jetën e një populli, të një vendi, të një kombi etj.; pjesë e veçantë e një procesi historik. Periudhë e lavdishme (revolucionare). Periudha e ndërtimit të plotë të shoqërisë socialiste. Periudha e kalimit nga kapitalizmi në socializëm. Periudhë aksionesh (vrulli).
- 2. Koha gjatë së cilës zhvillohet një sëmundje; etapë. Periudha e fshehtë (e inkubacionit) periudha që nga çasti i infektimit të një njeriu ose të një kafshe deri në shfaqjen e shenjave të para të sëmundjes përkatëse.
- 3. edhe spec. Pjesa e kohës nga fillimi deri në mbarim të një dukurie që përsëritet; koha gjatë së cilës një planet kryen rrugën e tij; cikël. Periudha e kallëzimit te gruri. Në periudhën e pjekjes ( e lulëzimit).
- 4. vet. Të përmuajshmet e grave, zakonet.
- 5. gjeol. Pjesë kohe, gjatë së cilës janë formuar shtresat e ndryshme gjeologjike; secila nga ndarjet e mëdha të epokave gjeologjike.
- 6. mat. Grupi i shifrave që përsëritet pa fund pas presjes dhjetore.
- 7. gjuh. Njësi e ligjërimit, e cila përbëhet nga dy a më shumë fjalë që formojnë një tërësi të vetme nga ndërtimi gramatikor, nga kuptimi dhe nga intonacioni; fjali e përbërë. Periudha me fjali të varura kushtore (shkakore, kohore).
- 8. vjet. Ndarje e viteve të mësimit në shkollë; cikël. Në periudhën e ulët të shkollës fillore.
- Me periudha në mënyrë jo të vijueshme, me ndërprerje, me disa etapa. Periudhë vegjetative bot. shih te VEGJETATIV,~ E.