Jump to content

Zigurati

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Façata e rindertuar e Ziguratit te Madh te Urit afër Nasirias ne Irak

Ziguratet ishin struktura masive të ndërtuara ne Mesopotaminë e lashtë dhe rafshnaltën perëndimore të Iranit, që kishte formën e një piramide të shkallëzuar me tarraca që zvogëloheshin me ngritjen e strukturës.

Zigurate të shquara përfshijnë Ziguratin e Madh të Urit afër Nasirias në Irak; Zigurati i Aqar Quf-it afër Bagdadit; Zigurati Etemenanki në Babiloni, tashmë i shkatërruar; Zigurati Chogha Zanbil në Khūzestān të Iranit dhe Zigurati Tappeh Sialk afër Kashanit në Iran.

Shenja kuneiforme: sumerisht: u6-nir; akadisht: ziqquratu (ziqratu, varianti asir: seqquratu), me kuptimin e zigurat, kullë tempullore, ose maje mali, ne këtë menyre nga "me qene i larte, i ngritur"

Ziguratet ndërtoheshin nga sumerët e lashtë, babilonasit, elamitët, akadët dhe asirianët për besimet e tyre fetare. Çdo zigurat ishte pjesë e një kompleksi tempujsh që përfshinte ndërtesa të tjera. Pararendësit e zigurateve ishin platformat e ngritura që datojnë që nga periudha Ubaid[1] gjatë mijëvjeçarit të IV p.e.s.. Ziguratët më të hershëm filluan afër fundit të Periudhës së Hershme Dinastike të Sumerisë (2900–2350 p.e.s.).[2] Ziguratet më të vona mesopotamike datojnë nga Shekulli VI p.e.s.. Të ndërtuar në rradhë zvogëluese mbi një platformë drejtëkëndore, ovale ose katrore, zigurati ishte një strukturë piramidale me një majë të sheshtë. Tullat e thara në diell përbënin bërthamën e ziguratit me pjesën e jashtme të ndërtuar me tulla të pjekura në zjarr. Veshjet shpesh ishin të bëra me glazaturë në ngjyra të ndryshme dhe mund të kenë pasur domethënie astrologjike. Herë herë mbretërit i skalitnin emrat e tyre në këto tulla qelqore. Numri i kateve ose tarracave varionte nga dy deri në shtatë. Sipas arkeologut Harriet Crawford, "Është normale të hamendësohet se ziguratet mbështesnin një faltore, megjithëse dëshmitë për këtë vijnë vetëm nga Herodoti dhe dëshmitë fizike nuk ekzistojnë. Është sugjeruar gjithashtu nga një numë studiuesish se kjo faltore ishte skena e martesës së shenjtë, riti qendror i festës së madhe të vitit të ri. Herodoti e përshkruan duke ofruar hollësi të faltores në majë të ziguratit të Babilonisë dhe thotë se ai përmbante një karro të madhe të artë në të cilën një grua e shkonte natën e vetme. Zoti Marduk thuhej gjithashtu se vinte dhe flinte në këtë faltore. Erozioni zakonisht i ka reduktuar ziguratet e mbijetuara në një pjesë të lartësisë së tyre fillestare, por dëshmitë tekstore mund të ofrojnë gjithashtu më tepër fakte rreth qëllimit të këtyre faltoreve. Në gjendjen e tanishme të njohurive duket e arsyeshme të adoptohet si një hipotezë e përkohshme sugjerimi se ziguratet u zhvilluan nga platformat e hershme të tempujve dhe se faltoret e vogla qëndronin në tarracën më të lartë..."[3] Hyrja në faltore duhet të ketë qenë nga një seri shkallësh në njërin krah të ziguratit ose nëpërmjet një shkalle spirale nga baza deri në majë. Ziguratet mesopotamike nuk ishin vende për adhurimin publik ose ceremonitë publike. Ata besohet se ishin vendbanime për zotat dhe secili qytet kishte zotin e tij mbrojtës. Vetëm priftërinjtë lejohej të hynin në zigurat ose në dhomat në bazën e tij dhe ishte përgjegjësia e tyre të përkujdeseshin për zotat dhe të plotësonin nevojat e tyre. Priftërinjtë ishin anëtarë shumë të fuqishëm të shoqërisë sumere.

Modeli i një rindërtimi të mundshëm të ziguratit të Babilonisë, Etemenanki, i konservuar ne Muzeun e Berlinit

Ziguratët klasikë u shfaqën në Periudhën Neo-Asiriane me kontraforte të artikuluara, veshje me pllaka qelqore dhe entazë në ngritje. Zigurati i Urit është shembulli më i mirë i këtij stili. Një tjetër ndryshim në dizajnin e tempullit në këtë periudhë ishte një qasje e drejtë, në kundërshtim me qasjen me aks të përthyer për në tempull. Zigurati i Ur-Nammu-së në Ur ishte projektuar si një ndërtim me tre shtresa, por sot vetëm dy nga këto mbijetojnë. Të gjithë strukturës së brendshme me tulla balte fillimisht i ishte dhënë një veshje me tulla të pjekura të mbështjella me bitum, 2.5 m. mbi shtresën e parë, më të ultën, dhe 1.15 m. mbi të dytën. Secila nga këto tulla të pjekura kishte të gdhendur emrin e mbretit. Muret e pjerrët të fazave ishin të mbështetur nga kontraforta. Hyrja në krye realizohej nëpërmjet një shkalle monumentale tre-pjesëshe, e cila konvergonte me një portal që hapej në një sheshpushim midis shtresës së parë dhe të dytë. Lartësia e shtresës së parë ishte rreth 11 m. ndërsa shtresa e dytë ngrihej afërsisht 5.7 m. Normalisht kishte një shtresë të tretë, që është rindërtuar nga gëmuesi i zuguratit, Leonard Ëoolley, dhe kurorëzohej nga një tempull. Në ziguratin C të Dur-Untash (Hogha Zanbil), arkeologët kanë gjetur lidhëse masive kallamash që përshkojnë bërthamën e strukturës së ziguratit që bashkon masën e baltës. Mbetjet më të shquara arkitektonike nga Mesopotamia e hershme janë komplekset tempullore të Urukut që i përkasin mijëvjeçarit të IV p.e.s., tempuj dhe pallate nga Periudha e Hershme Dinastike Sumere nga sitet luginën e lumit Diyala siç është Khafajah dhe Tell Asmar, mbetjet e Dinastisë së Tretë të UritNipur (faltoria e Enlilit) dhe në Ur (faltorja e Nanas), mbetjet nga Epoka e Mesme e Bronxit në sitet Siriano-Turke të Eblas, Marisë, Alalakh-ut, Alepos dhe Kultepes, pallatet e Epokës së Vonë të Bronxit në Bogazkoy (Hattusha antike), Ugariti, Ashuri dhe Nuzi, pallatet e epokës së herkurit dhe tempujt në asirianë (Kalhu/Nimrud, Khorsabadi, Ninive), babilonase (Babilonia), urartiane (Tushpa/Van, Haykaberdi, Ayanis, Armaviri, fortesa e Erebunit, Bastami) dhe sitet Neo-Hitite (Karkemishi]], Tell Halafi, Karatepeja). Shtëpitë janë kryesisht të njohura nga mbetjet e periudhës së vjetër babilonase në Nippur dhe Ur. Mes burimeve tekstore mbi ndërtesat dhe ritualet e lidhura janë cilindrat e Gudea-s nga fundi i mijëvjeçarit të Tretë janë të shquar, ashtu si mbishkrimet mbretërore asiriane dhe babilonase nga epoka e hekurit. Një nga ziguratet më mirë të ruajtura është zigurati Chogha Zanbil-i në Iranin perëndimor. Zigurati Sialk në Kashan të Iranit, është zigurati më i vjetër i njohur, që daton nga fillimi i mijëvjeçarit të III p.e.s.. Dizajnet e Ziguratit variojnë nga bazat e thjeshta mbi të cilat vendoset një tempull, deri në mrekullitë matematike dhe ndërtimore në të cilat formohen katet e tarracave që kurorëzoheshin me një tempull.

Një tullë në qeramikë të pjekur, e prejardhur nga qyteti i Babilonisë që i përketë shekullit të VI p.e.s.

Një shembul i një zigurati të thjeshtë është Tempulli i Bardhë i Urukut, në Sumerinë e lashtë. Vetë zigurati është baza në të cilën është vendosur Tempulli i Bardhë. Qëllimi i saj është ta ngrerë tempullin më afër qiellit dhe të ofroj akses nga toka në të nëpërmjet shkallëve. Mesopotamët besonin se këta tempuj piramidal lidhnin qiellin me tokën. Në fakt, zigurati në Babiloni ishte i njohur si Etemenankia ose "Shtëpia e Platformës midis Qiellit dhe Tokës". Një shembull i një zigurati masiv është zigurati i Mardukut, ose Etemenanki, në Babiloni. Fatkeqësisht, nuk ka mbetur shumë madje as nga baza e strukturës së tij masive, megjithëse gjetjet arkeologjike dhe përshkrimet historike e konsiderojnë këtë si një kullë me shtatë kate shumëngjyrëshe, të kurorëzuar me një tempull me proporcione të jashtëzakonshme. Tempulli mendohet se ishte i ngjyrosur me ngjyrë indigo, që theksonte majat e tarracave. Dihet se kishte tre shkallë që të çonin në tempull, dy nga të cilat (të vendosura anash) mendohej se ngjiteshin deri në mesin e lartësisë së ziguratit. Etemenanki, emri i strukturës, është sumerisht dhe do të thotë "tempulli i themeleve të qiellit dhe tokës". Data e ndërtimit të tij zanafillor është e panjohur, me data të sugjeruara që variojnë nga Shekulli XIV p.e.s. deri në Shekullin e IX p.e.s., me dëshmi tekstuale që sugjerojnë se ai ekzistonte në mijëvjeçarin e II p.e.s..[4]

Interpretimi dhe domethënia

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sipas Herodotit, në majë të çdo zigurati ishte një faltore, megjithëse asnjë nga këto faltore nuk ka mbijetuar.[1] Një funksion praktik i zigurateve ishte ai i një vendi të lartë në të cilin priftërinjtë mund tu shmangeshin vërshimeve të përvitshme të ujërave që përmbysnin ultësirat dhe ndonjëherë përfshinin deri në qindra milje, si për shembull përmbytja e vitit 1967.[5] Një tejtër funksion praktik i ziguratit ishte për sigurinë. Meqë faltorja ishte e arritshme vetëm nëpërmjet tre shkallëve,[6] një numër i vogël rojash mund të parandalonin jo-priftërinjtë të përgjonin ritualet në majë të ziguratit, si ritualet e inicimit, gatimin e ushqimeve të flijimeve dhe djegjen e kufomave të kafshëve të flijuara. Çdo zigurat ishte pjesë e një kompleksi tempujsh që përfshinte një oborr, dhoma magazinimi, banja dhe lagje banimi rreth të cilave ndërtohej një qytet.[7]

  • Roger B. Beck, Linda Black, Larry S. Krieger, Phillip C. Naylor & Dahia Ibo Shabaka: World History: Patterns of Interaction; McDougal Littell, 1999, Evanston, IL; isbn 0-395-87274-X.
  • J.A. Black & A. Green: "Ziggurat"; Dictionary of the Ancient Near East, red. nga P. Bienkowski & A. Millard, London: British Museum.
  • T. Busink: "L´origine et évolution de la ziggurat babylonienne"; Jaarbericht van het Vooraziatisch-Egyptisch Genootschap Ex Oriente Lux 21 (1970).
  • R. Chadwick: "Calendars, Ziggurats, and the Stars"; The Canadian Society for Mesopotamian Studies Bulletin, Toronto, nëntor 1992.
  • Harriet Crawford: Sumer and the Sumerians; Cambridge University Press, New York, 1993, ISBN 0-521-38850-3.
  • Andrew George: "The Tower of Babel: Archaeology, history and cuneiform texts"; 2007, në Archiv für Orientforschung, 51 (2005/2006).
  • R.G. Killick: "Ziggurat"; The Dictionary of Art (red. nga J. Turner), New York & London: Macmillan, vol. 33.
  • Gwendolyn Leick: Mesopotamia: The Invention of the City; Penguin Books, 2002, isbn 0-14-026574-0.
  • H.J. Lenzen: Die Entwicklung der Zikurrat von ihren Anfängen bis zur Zeit der III. Dynastie von Ur (Leipzig 1942).
  • A. Leo Oppenheim: Ancient Mesopotamia; University of Chicago Press, Chicago, 1977, ISBN 0-226-63187-7.
  • M. Roaf: Cultural Atlas of Mesopotamia and the Ancient Near East; New York, 1990.
  • E.C. Stone: "Ziggurat"; The Oxford Encyclopedia of Archaeology in the Near East (red. nga E.M. Meyers), New York & Oxford, 1997, vol. 5.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ a b Harriet Crawford: Sumer and the Sumerians; Cambridge University Press, New York, 1993, ISBN 0-521-38850-3, fq. 73
  2. ^ Harriet Crawford: Sumer and the Sumerians; Cambridge University Press, New York, 1993, ISBN 0-521-38850-3, fq. 73-74
  3. ^ Harriet Crawford: Sumer and the Sumerians; Cambridge University Press, New York, 1993, ISBN 0-521-38850-3, fq. 85
  4. ^ Andrew George: "The Tower of Babel: Archaeology, history and cuneiform texts"; 2007, në Archiv für Orientforschung, 51 (2005/2006). fq. 75-95
  5. ^ Aramco World Magazine, March–April 1968, faqet 32-33
  6. ^ Harriet Crawford: Sumer and the Sumerians; Cambridge University Press, New York, 1993, ISBN 0-521-38850-3, fq. 75
  7. ^ A. Leo Oppenheim: Ancient Mesopotamia; University of Chicago Press, Chicago, 1977, ISBN 0-226-63187-7, fq. 112, 326-328