Dinastia Tang
Tang
唐 | |||||||||
---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|
618–907 | |||||||||
Kryeqyteti | Çang-an Luoyang | ||||||||
Gjuhët zyrtare | Kinezisht e Mesme | ||||||||
Besimi | Budizmi Taoismi Islami Krishterimi | ||||||||
Qeveria | |||||||||
Lloji i qeverisjes | Monarkia | ||||||||
Historia | |||||||||
• Themeluar | 618 | ||||||||
• Shpërbërë | 907 | ||||||||
Sipërfaqja | |||||||||
• Gjithsej | 5,400,000 km2 (2,100,000 sq mi) | ||||||||
Popullsia | |||||||||
• Përllogaritje | 80 million (shekulli X) | ||||||||
Ekonomia | |||||||||
Monedha | Qian Kineze | ||||||||
Të dhëna të tjera | |||||||||
| |||||||||
Sot pjesë e | Kina Kazakistani Kirgizistani Vietnami |
Dinastia Tang i madh ekzistoi 289 vjet, nga viti 618 deri në vitin 907, vit kur ajo u përmbys nga Zhu Wen. Dinastia Tang kaloi dy etapa, etapën e parë dhe etapën e fundit. Ngjarja e rebelimit të klikës ushtarake An-Shi ka qenë vija e demarkacionit midis atyre dy etapave. Etapa e parë ishte etapë e lulëzimit dhe etapa e fundit ishte etapë e rënies.
Li Yuan e themeloi dinastinë Tang dhe u shpall si perandori Tang-Gaozu, kurse biri i tij Li Shi Min, që u bë perandori Tang-Taizong, kreu bashkimin e gjithë vendit, duke komanduar forcat e armatosura dhe duke luftuar për 10 vjet me radhë. Li Shi Min u ngrit në fronin perandorak pas incidentit të vëllavrasjes tek porta Xuanwu të qytetit Çang-an, sot Xi-an. Në sajë të përpjekjeve të tij për fuqizimin e vendit, shoqëria feudale kineze pati një lulëzim të paparë gjatë kohës së dinastisë Tang, u krijua një gjendje e stabilitetit dhe paqes gjatë viteve të perandorit Taizong (627-649) dhe perandoria Tang zuri pozitë me përparësi në botë në fushat politike, ekonomike, kulturore dhe fusha të tjera.
Gjatë viteve kur perandori Xuanzong ishte në fuqi, u krijua një gjendje e lulëzimit që u quajt “epoka e lulëzuar e viteve Kaiyuan” (vitet 713-741). Në ato vite, shteti kinez ishte i fuqishëm dhe populli bënte një jetë të pasur. Mirëpo, pikërisht gjatë viteve kur perandori Xuanzong ishte në fuqi, ndodhi rebelimi i klikës së An Lushanit dhe Shi Simingut, që u quajt shkurtimisht në historiografi si “rebelimi An-Shi”, si pasojë, dinastia Tang mori rrugë tatëpjetë drejt rënies.
Gjatë kohëve të dinastive Sui dhe Tang, u arritën suksese të shumta në fushën e legjislacionit. Për shembull, u krijuan sistemi i qeverisë me tri ministri dhe i organit të pushtetit me gjashtë seksione; sistemi i provimeve perandorake dhe kodi i taksave të dyllojeshme, e të tjera, të cilat ushtruan ndikime të thella edhe për brezat e mëvonshëm. Dinastitë Sui dhe Tang zbatuan një politikë relativisht të hapur në marrëdhëniet me botën e jashtme, prandaj shkëmbimet ekonomike dhe kulturore midis Kinës dhe vendeve të tjera kanë qenë të dendura në atë kohë. Në fushën e letërsisë, u arritën suksese shumë të mëdha në krijimtarinë poetike, e cila u zhvillua në katër faza: faza e viteve të para të dinastisë Tang, me Çen Zi Ang si përfaqësues të shquar ; faza e viteve të lulëzimit të dinastisë Tang, me Li Po dhe Du Fu si përfaqësues të shquar; faza e viteve të mesme të dinastisë Tang, me Bai Ju Yi dhe Yuan Zhen si përfaqësues të shquar dhe faza e viteve të vonshme të dinastisë Tang, me Li Shang Yin dhe Du Mu si përfaqësues të shquar. Han Yu dhe Liu Zong Yuan iniciatuan lëvizjen e krijimtarisë prozaikë të stilit të periudhave para dinastive Çin dhe Han, gjë që ushtroi ndikime të thella për brezat e mëvonshëm. Janë ruajtur deri më sot edhe vepra kaligrafike të Yan Zhen Çinit, piktura të Yan Li Benit, Wu Dao Zit, Li Si Xunit dhe Wang Weit, vepra muzikore dhe koreografike me titull "Veshje me neon dhe me pupla", si dhe vepra të shumta artistike në guva. Në fushën tekniko-shkencore, u shpikën teknika e shtypshkrimit dhe baruti, dy nga katër shpikjet e mëdha kineze.
Në vitet e fundit të dinastisë Tang, dolën turbullira në jetën politike. Që nga lufta politike midis sekteve Li dhe Niu dhe deri në uzurpimin e pushtetit nga eunukët, ndodhën pa ndërprerë kryengritje fshatare, veçanërisht kryengritja e udhëhequr nga Huang Çao. Zhu Wen, një nga udhëheqësit e kryengritjeve, dikur kapitulloi para palës zyrtare të dinastisë Tang, por më vonë e zëvendësoi perandorin e dinastisë Tang dhe vetë u ngrit në fronin perandorak, duke krijuar dinastinë “Liang i Vonshëm”, që ishte e para dinasti e periudhës së “pesë dinastive ”, periudhë që zgjati 53 vjet (907-960).